Armiku numur një është frika. Frika është burimi i shumë sëmundjeve, mossukseseve, moskomunikimit, marrëdhënieve problematike mes njerëzve. Me miliona njerëz në botë kanë frikëra nga më të ndryshmet: frikë nga e kaluara, frikë nga e ardhmja, frikë për të nesërmen, frikë nga humbjet, frikë nga sëmundjet, frikë nga pleqëria, frikë nga vdekja, frikë nga katastrofat natyrore, frikë nga kritikat, plus me qindra frikëra të vogla gjatë jetës së përditshme.
Por në fakt ç’është frika?
Sipas Joseph Murphy frika nuk është gjë tjetër veçse ide në kokën tonë, pra në fund të fundit kemi frikë nga mendimet tona të brendshme, ne jemi ata që i lejojmë pasiguritë brenda vetes pa e kuptuar që me këto mendime të brendshme sabotojmë lirinë brenda vetes duke e kthyer shpesh këtë frikë të brendshme në barierë thuajse të pakapërcyeshme në rrugën drejt suksesit.
Shumë shpesh na kap paniku për diçka që as nuk e kemi provuar vetë, por thjesht kemi lexuar diku apo kemi dëgjuar diçka që na ka ushqyer këtë frikë të brendshme pa baza. Shpesh këto frikëra i kemi marrë si informacione të ushqyera që në fëmijëri.
Për këtë frikë të brendshme ka shkruar filozofi Ralph Waldo Emerson qysh para më shumë se 100 vjetësh:“Bëni atë që keni frikë më shumë dhe ju garantoj që frika do zhduket.”
Ndoshta s’ka nevojë të studiojmë gjithë filozofët e botës, ndoshta do mjaftonte shprehja popullore: “plumbi do plumb” për të gjetur atë kurajo apo plumb brenda vetes për të crrënjosur demonët e brendshëm, pasi e meritojmë ta jetojmë jetën pa këto shqetësime dhe frikëra të brendshme.
Frika është vetëm përkohësisht. Pendimi vazhdon përjetësisht!