Lajmet
Lajmet, qofshin këto të mira apo të këqija janë bërë pjesë e jetës sonë të përditshme, duam apo nuk duam na ndjekin në çdo hap, aq sa nuk jetojmë dot pa to, gjithë kohës duam të dimë se çfarë ndodh rreth nesh apo në Australinë e largët. Por si, sa dhe si ndikojnë këto lajmë në jetën tonë?
Pse po shkruaj diçka reth kësaj teme, pavarësisht se nuk është fusha ime, pavarësisht se më mjaftojnë 10 – 15 minuta në ditë të ndjek të rejat që ndodhin në botë?
Shpesh kam dëgjuar njerëz të ndryshëm, qoftë në Slloveni apo edhe, aq sa ndjek situatat online, në territoret shqiptare: “në çfarë vendi jetojmë”, “prapë ndodhi një përdhunim”, “aksident i rëndë”, ”vdiq në vendin e punës”, ”shantazhe”, “vjedhje në plazh”, “u vranë me thika”, ”tmerr si e rrahën në mes të rrugës”, “nuk kemi asnjë lloj mundësie”….etj., etj.
Automatiksht i bëjmë vetes një pyetje retorike: ”Në çfarë vendi jetojmë”! “A duhet të kem frikë”?! ”A duhet të jem krenar apo të më vij turp”?!
Në fakt nuk është e drejtë të etiketojmë një komb nga një lajm apo nga një eksperiencë negative që i ndodh dikujt. Të njohësh një popullatë të tërë është shumë e vështirë, të etiketosh një komb të tërë për një X ngjarje është shumë e padrejtë, të etiketosh kombin tënd është ndoshta dënimi më i madh që mund ti bëjmë vetes dhe brezave në vazhdim.
Dikur në një libër kam lexuar që arkitektura e jashtme, qofshin këto ndërtesa, zyra, parqe krijojnë portretin psikologjik të një kombi; por a është e vërtetë?!
Natyrisht ambjentet e përbashkëta janë tepër të rëndësishme dhe absolutisht ndikojnë në gjendjen shpirtërore, por mendoj se nuk janë faktori kryesor. Nëse marr shembull Ljubljanën si një qytet i vogël me një arkitekturë për tu pasur zili, me gjelbërimin apo qendrën simpatike, nuk duhet të kishte asnjë lloj problemi, vetë Sllovenia në fakt nuk duhet të kishte vrasje, përdhunime, fëmijë të keqtrajtuar, vetëvrasje, vjedhje; por ja që edhe në Slloveni këto gjëra ndodhin. Edhe këtu ndeshen problemet si në çdo vend tjetër. Gjithësesi etiketimi i Sllovenisë si një vend problematik nuk do ishte i drejtë.
Nëse nga ana tjetër shohim situatën në Shqipëri, pavarësisht problemeve që ka si shtet në zhvillim, përsëri nuk më duket fare i drejtë etiketimi si një vend jo i sigurt, vend nga i cili duhet të ruhemi se nuk i dihet çfarë ndodh, nuk më duket e drejtë të ngremë teori të tilla si: “ky vend nuk do bëhet ndonjëherë”.
Shpesh mediat krijojnë imazhin e një vendi dhe sa më shumë ti mëshohet gjërave negative aq më e errët duket situate, sa më shumë të flasim për moszhvillimin aq më i pashpresë duket zhvillimi dhe ecja para, sa më shumë të flasim për krimin aq më shumë i hapim dyert atij, sa më shumë të flasim për dhunën aq më pak shohim bukurinë, aq më pak vlerësojmë çfarë kemi arritur.
Është mëse e vërtetë që aty ku ka fukarallëk ka më shumë maskarallëk, por ndoshta nëse do ti kushtonim gjërave të bukura po aq vëmendje sa problemeve, mund ti shihnim situata nga një këndvështrim komplet tjetër, pasi dashje pa dashje ne krijojmë mendimin apo opinionin tonë duke u bazuar mbi ato çfarë dëgjojmë dhe shikojmë.
Në çdo zonë, qytet, shtet ndodhin çdo ditë gjëra kontraditore. Ka raste kur bashkëshorti vret gruan për tradhëti, por ka edhe me qindra raste kur kjo tradhëti kalohet duke derdhur ca lotë apo me ngritje zëri. Ka raste kur humbja e vendit të punës dikë e shkatërron, por me zhvillimin e sotëm ka me qindra raste që sfidojnë veten duke hedhur hapa të tjerë në jetë. Ka raste kur grupe të pakënaqura protestojnë, thyejnë xhama, prishin makina, por nga ana tjetër ka edhe njerëz që pastrojnë rrëmujën e lënë pas, mbjellin lule. Ka raste kur mbajmë lloj-lloj dietash për të humbur kilogramët e tepërt dhe dikush vdes nga anoreksia, por ka me qindra e mijëra raste që i bëjnë vetes vend në shoqëri me mendimet, me punën e tyre, me kujdesin që tregojnë për një njeri në nevojë, me mënyrën si zgjidhin problemet pa ngritur zërin, pa qenë nevoja ti kushtojnë shumë kohë formave të trupit.
Pikërisht për të gjitha këto le të mos harrojmë, që edhe vendi ynë nuk është vendi ku gruaja dhunohet, nuk është vendi ku ke frikë të dalësh në rrugë në zona apo orë të caktuara, nuk është vendi ku nuk ka asnjë shpresë, nuk është vendi i korrupsionit, nuk është vendi i dembelëve, nuk është vendi ku nuk ka asnjë mundësi, nuk është vendi ku askush nuk do t’ja dijë për asnjë, nuk është vendi ku nuk ka prodhime lokale me shije, nuk është vendi ku nuk prodhohet asgjë, nuk është vendi ku nuk ndërtohet, nuk është vendi ku nuk ja vlen të investohet, nuk është vendi i thashethemeve, nuk është vendi i vrasjeve; thjesht ndoshta do duhej një orientim tjetër nga çdo instance, duke përfshirë këtu edhe mediat.
Ndoshta nuk do ishte keq të mos na ofrohen më në pjatë vetëm mangësitë dhe të këqijat e një shoqërie, por të na ofrohet edhe ajo se për çfarë duhet të jemi krenar; qoftë ky edhe një gjest i vogël i një 15-vjeçari që kujdeset për gjyshen e paralizuar, qoftë për prindin që punon gjithçka për të mbajtur familjen, qoftë puna e palodhur e një mësuesi që di si të motivojë të rinjtë, qoftë edhe për mjekun që në kushtet jashtë çdo standarti kryen operacione të vështira, qoftë edhe një fermeri që ende transporton me kalë apo gomar sallatën në qytet, qoftë dedikimi i një bashkëshorti që kujdeset për gruan e paralizuar, qoftë gjesti i një personi që ulet dhe mbledh shishet apo facoletat në park, qoftë përgjegjësia e një gjysheje që kujdeset për nipërit dhe mbesat se kanë humbur nënën, qoftë edhe për ata familjarë që adoptojnë apo kujdesen për fëmijët jetimë, qoftë edhe për ata që dinë si të komunikojnë, si të përçojnë të renë, qoftë edhe për ata që ndihmojnë të rinjtë që nuk e gjejnë dot veten në rrëmujën e përditshme. Të gjitha këto me zhvillimin e kohëve moderne janë një domosdoshmëri për të dal mbi këtë depresion klinik mediatik, qofshin këto media klasike apo mediat sociale, pasi me një optimizëm dhe inciativa të përbashkëta mundet të japim kontributin për një shoqëri ashtu siç e dëshirojmë.
Po ne qytetarët e thjeshtë si mundet të gjejmë veten mes kësaj rrëmuje mediatike dhe të dhënave pa fund që na ofrohen çdo sekondë?
Thjesht duke gjetur forcën e brendshme për ti vlerësuar lajmet sipas interesave që kemi dhe për të parë e analizuar çdo gjë nga një këndvështrim tjetër; vetëm kështu do arrrijmë të bëjmë përzgjedhjen e duhur mes atyre çka na ofron shoqëria.
Media është subjekti më i fuqishëm në tokë. Ato kanë fuqinë të bëjnë të pafajshim fajtor dhe të fajtorin të pafajshëm; dhe kjo është fuqia e tyre sepse kontrollojnë mendjet e masave.
Malcolm X
Nëse ne si qytetarë të thjeshtë marrim vetë kontrollin e jetës sonë në dorë, nëse ne nuk lejojmë mediat apo këdo rreth nesh të ndikojë në vendimet që marrim, dhe nëse qëndrojmë pas çdo vendimi që marrim i drejtë apo i gabuar, atëhere këto fruta të kalbura me kalimin e kohës do kthehen në një pleh me vlera, ndoshta një ditë kur të kthejmë kokën prapa do themi që asnjë pemë, asnjë perime, asnjë frut, asnjë lule nuk mund të lulëzonte pa këtë pleh; ndoshta do themi faleminderit që ke qenë, pa ty nuk do isha ky/kjo që jam, pa ty nuk kisha kërkuar dyer dhe mundësi të reja.
Faleminderit!