Fëmijë i prindërve të divorcuar.

A mund të mos shkruaj kur klientja më beson një situatë kaq të rënduar me të cilën ka jetuar 18 vjet?
Dialogu mes nënës dhe asaj.
”Dua të takoj babin. Dua të njoh vetë babin tim.”
”Jo, ti nuk do ta takosh dhe as nuk do ta njohësh atë maskara.”
Ajo vajzë është rritur që në moshën 3 vjeçare me këto fjalë: ”Nuk do ta takosh atë maskara!”
Fëmijë i prindërve të divorcuar
Raste të tilla nuk janë raste sporadike. Fatkeqësisht në rastet e divorceve, të cilat tashmë, edhe sipas statistikave, është fakt i pamohueshëm që janë shumë më të shpeshta se para disa dekadave, janë shumë të shpeshta.
Kur vazhdoj më tej të dëgjoj historinë e kësaj zonjushe 22 vjeçare, më kujtohen dhe shumë histori të tjera, të cilat i kam parë edhe vetë qysh para 25 vjetësh, kur gjyshet apo nënat i përdornin, apo vazhdojnë t’i përdorin fëmijët si kanal për të filtruar traumat dhe pakënaqësitë e jetës së tyre.
Me këtë nuk dua të them që nuk ka raste kur është e nevojshme që fëmijët të jenë larg babait të tyre, ashtu si ka edhe raste kur është domosdoshmëri të jenë larg nënës, gjithësesi kur këto arsye nuk qëndrojnë, dëmi që ju bëhet fëmijëve, duke i mbajtur ‘me dhunë’ larg, është shumë më i madh.
Asnjë prind nuk mund t’i lejojë vetes që problemet e veta t’ia kalojë fëmijës.
Jam ndeshur edhe me prindër që i thonë fëmijëve: ‘Unë kam sakrifikuar rininë time, studimet apo punën për ju!’ Në këto raste flet trauma, flasin problemt e tyre të paprocesuara. Nuk është as e drejtë dhe as morale, që paaftësinë, përgjegjësinë për X, Y vendime, t’ia kalojmë fëmijëve.
Jeta ka dy kahe të kundërta.
Mes njërit kah dhe tjetrit, ka ngjyra dhe hije të ndryshme.
Varet nga secili individ se çfarë zgjedh. Por, gjithmonë, për zgjedhjet dhe vendimet, merret përgjegjësia, secili merr përgjegjësinë e tij. Disa zgjedhin justifikimet se pse ata/ato veprojnë apo sillen kështu, shpesh duke thënë: ‘Kam traumat e mia’, ‘E kanë faj prindërit e mi.’, ‘Ka faj ai maskarai që më la.’, e të tjera, e të tjera justfikime.
Është e vërtetë që mund të na bëhen shumë padrejtësi, ështe vërtetë që dikush ka pasur prindër, mësues, gjyshër apo partner/-re, shumë toksik, negativ, të dhunshëm, por të vazhdojnë me justifikimin, sepse ashtu dikush ‘i ka edukuar apo trajtuar’, është zgjedhje që vazhdojnë ta bëjnë në mënyrë të vetëdisjshme.
Njeriu e ka të vështirë të ndryshojë, por jo sepse ai nuk e do ndryshimin apo sepse nuk mundet, por sepse edhe kur merr një vendim apo fillon diçka nuk insiston mjaft, sepse shpesh, atëhere kur gjithçka përmbyset, apo atëhere kur gjërat nuk shkojnë ashtu si ata presin apo mendojnë, është shumë e vështirë të shikosh dritë në fund të tunelit.
Ana tjetër në rastet e divorceve, dhe si ata fëmijë e përjetojnë divorcin dhe gjithë situatën.
Një nga fenomenet më të përhapura është etiketikimi që i bëhet asaj nëne ose atij zotërie që mund të ketë marrë vendimin për t’u divorcuar, etiketim që vjen si nga familjarët e të dy palëve apo edhe nga ata që i konsideronin miq, të cilët pas divorcit zakonisht mbajnë krahun e një pale.
Fëmijët e prindërve të divorcuar vuajnë jo vetëm faktin e ndarjes së prindërve, por edhe shkëputjen nga bashkëmoshatarët e tyre, fëmijët e miqve të përbashkët, me të cilët ndoshta kanë kaluar jo vetëm mbrëmje dhe fundjava bashkë, por edhe pushimet.
Pjesa tjetër është lufta në gjykatë për ndarjen pasurisë së përbashkët, makinës apo çfarëdo që mund të kenë, si dhe lufta ku zakonisht prindit që i takon të paguajë për fëmijën, bën gjithçka që të paguajë sa më pak ose aspak, luftë që vazhdon edhe më tej.
Në shumicën rasteve, të dy prindërit këto probleme i procesojnë nëpërmjet fëmijëve. Fëmija, edhe në këtë rast, përveç gjërave të tjera ndeshet edhe me mungesën financiare, por çfarë është më e keqja, ai ndihet i abandonuar.
Janë shumë të rrallë rastet kur prindërit ndahen pa luftë, pa zhurmë, janë shumë të rralla rastet kur ata ruajnë edhe më vonë marrëdhënie normale, në mënyrë që fëmijëve t’iu afrojnë një jetë apo kushte sa më normale.
Në rastet kur kemi të bëjmë me prindër të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm, pavarësisht se jetojnë në adresa të ndryshme, pavarësisht se mund ta fillojnë jetën nga e para, sillen shumë korrekt dhe vazhdojnë të mbajnë përgjegjësinë për përgjegjësitë e tyre. Kjo është një vlerë e shtuar, si për ata, por edhe për fëmijët e tyre. Me këtë marrje përgjegjësie fëmijët kanë shumë mundësi të jetojnë një jetë pa shumë ulje dhe ngritje, pa probleme psikologjike, gjë që shumicën e rasteve nuk ndodh, pasi vetë prindërit e përdorin fëmijën si një mjet për të plotësuar egoizmin apo pakënaqësitë e tyre.
Në fakt, ata, atë fëmijë e kanë përdorur edhe më herët si mjet për të plotësuar nevojat e tyre.
Shpesh thuhet që divorci për fëmijët është traumë. Ka raste që po, gjithësesi pas intervistave me shumë fëmijë të prindërve të divorcuar, tashmë në moshë madhore, në fakt pas ndarjes së prindërve janë ndjerë shumë mirë.
Kjo gjë ndodh sepse divorci kurrë nuk ndodh brenda natës. Divorci është rezultat i zënkave, pakënaqësive, dhunës që mund të ketë pasur mes partnerëve. Divorci ndodh për arsye tradhëtie, xhelozie e të tjera arsye, të cilat përsëri nuk janë gjëra që ndodhin brenda natës.
Kjo do të thotë që për fëmijët të cilët jetojnë në një ambjent të tillë, aspak të shëndetshëm, divorci mund të jetë shpëtim.
Gjithashtu ka raste kur gjykata vendos që fëmijët duhet të takojnë të dy prindërit, kur vetë fëmija nuk do të takojë ndoshta babain ose nënën, ose i detyron një familjar që të takojë babain pijanec apo nënën e dhunshme. Këto detyrime fëmijën e bëjnë ankcioz, duke rënduar shumë gjendjen e tij psikologjike.
Ka edhe raste kur babai përdor fëmijën që t’i mbushë mendjen mamit të bashkohen ose edhe e kundërta. Ka raste kur secili prind përdor mënyrën e tij se si të ushtrojnë presion ndaj njëri-tjetrit, dhe fëmija me kalimin e kohës kërkon ngushëllim tek shoqëria, i dashuri, tek cigarja, alkoholi, droga ose në raste ekstreme arrin deri në vetëvrasje, sepse ky fëmijë apo adoleshent, i cili ka luftërat e tij, nuk mund të përballojë më këtë presion psikologjik të prindërve të tij.
Ndoshta dikush mund të mendojë që prindër të tillë nuk ka.
Më duhet t’iu zhgënjej, pasi prindër të tillë, nëna ose baballarë ka me shumicë; – e vetmja gjë për të cilën ata kujdesen është vetëm si të hakmerren ndaj ish partnerit, partneres, shpesh, sidomos nënat, duke përdorur edhe mashtrime të tilla si abuzim seksual, pavarësisht se kjo gjë nuk ka ndodhur. Deri tek këto mashtrime arrijnë vetëm e vetëm që të bëjnë ishin e tyre të vuajë mungesën e fëmijës, sepse nëse ajo nuk është e lumtur, po ai pse të jetë?
Sipas disa studimeve, kanë dalë në konkluzion që gratë në këto raste kanë një fantazi shumë më të zhvilluar. Fatkeqësisht këto nuk janë nëna, por janë gra të lënduara thellë, të zhgënjyera, të dëshpëruara.
Për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera të pathëna, lufta nëpër gjyqe zgjat ndoshta edhe me vite, sepse:
• Të paktën njëri prej tyre nuk mund të jetë prind, por ka ngelur në rolin e një burri apo gruaje të lënduar, të dëshpëruar.
• Nuk kanë fare avokatë ose kanë avokatë të paaftë.
• Lejojnë të manipulohen nga fëmijët
• Pjesë e dramës së tyre, shpesh janë edhe familjarët e tjerë, të cilët ndërhyjnë me vend dhe pa vend, gjë që përkeqëson situatën.
Të gjitha këto janë probleme duhen marrë me shumë përgjegjësi, qofshin këto çështje ligjore apo edhe morale.
Fëmijët e meritojnë të kenë nënë edhe baba, por jo duke paguar çdo lloj çmimi. Në shumë raste fëmija rritet shumë më mirë nga prindër jo biologjikë, sepse më të rëndësishme janë marrëdhëniet, mirëkuptimi, mbështetja nga personat e rritur me të cilët jeton, qofshin këta gjyshër, teze, dajo apo kujdestarë të tjerë.
Fëmija ka nevojë të ndjejë dashurinë pa kushte, ka nevojë të ndihet i respektuar, ka nevojë për një ambjent që e inkurajon, e motivon, ka nevojë për një ambjent ku ai ndjen që atij i lejohet të ndjejë atë që ndjejn, i lejohet të ëndërrojë, ka nevojë për një ambjent ku ai e ndjen se ai këtij ambjenti i përket.