Si hipnoterapiste më pyesin shumë shpesh rreth saj, por një nga pyetjet më të shpeshta që më bëjnë është: Për çfarë ndihmon hipnoza? Çfarë trajtoni me të? Shumë edhe nuk e besojnë kur përmend se për çfarë ndihmon hipnoza apo vetëhipnoza.

Pse?

Me të mund të ndihmoni njerëzit apo veten për lënien e cigares, uljen e peshës, ankthin, depresionin, dhimbjet fizike, kapërcimin e frikërave, fobive, trauamave, varësive të ndryshme e shumë të tjera, në mënyrë që jeta juaj të jetë shumë më e plotësuar.

Po çfarë e bën hipnozën kaq speciale?

Për ta kuptuar këtë le të fillojmë me atë se si funksionon hipnoza.

Çfarë është hipnoza dhe si ajo funksion?

Hipnoza është një formë relaksimi tepër i fokusuar që u ndihmon të anashkaloni pjesën e vetëdijshme për të hyrë në nënvetëdijen tuaj, aty ku ndodhet fuqia juaj e fshehur. Kur ju jeni të hipnotizuar ju jeni në një gjendje transi, që do të thotë që largoni fokusin nga problemet e përditshme të jashtme dhe fokusoheni në brendësinë tuaj. Duke mos i kushtuar aq shumë vëmendje pjesës së vetëdijshme, mendja juaj është e lirë dhe fokusohet në një ide të vetme.

Kjo është gjendja e transit, e cila ndodh edhe në mënyrë natyrale, p.sh.  kur lexoni një libër, shikoni një film apo kur i jepni makinës. Hipnoza nuk është kontrolli i mendjes suaj nga dikush tjetër.

Nuk ka asnjë forcë të jashtme që e shkakton këtë gjë. Forca, jeni thjesht ju! Ju përdorni mendjen tuaj në një mënyrë tjetër, duke e lejuar veten të futeni në një gjendje tjetër ndërgjegjësimi.

Dhe këtu ndodh mrekullia, sepse duke qenë në këtë gjendje transi, ku komunikoni me nënvetëdijen, ju shkruani nje histori ndryshe, ndryshe nga ajo që mund t’i thoni vetes në jetën e përditshme.

Në këtë gjendje, ju jeni në gjendje të ndryshoni besimet dhe bindjet tuaja kufizuese, të cilat nuk u shërbejnë për të realizuar ato çfarë ju doni të realizoni. Pas kësaj është momenti që këto bindje t’i zëvendësoni me bindje të reja, shumë më të dobishme për ju. Kjo gjendje transi u ndihmon të mos bëni rezistencë, sepse kur jeni në gjendje komplet të vetëdijshme, mendja analizon çdo gjë dhe i reziston ndryshimit apo së resë. Në këtë gjendje transi relaksuese jeni në gjendje që t’i mbyllni portat botës së jashtme tepër analitike. Kur keni akses në nënvetëdije, pjesa e trurit është gati të pranojë sugjestionet pa i analizuar ato.

Fjala hipnozë vjen nga greqishtja, hypnos, që do të thotë gjumë, por për të përjetuar hipnozën, nuk mund të jeni në gjendje gjumi, pasi është e nevojshme që të ndërveproni me hipnoterapistin, gjë që nuk mund ta bëni në gjendje gjumi. Hipnoza është metodologji që ka nevojë për komunikimin dy palësh.

A mund të dëgjoni se çfarë ju thotë dikush kur jeni në gjumë? E njëjta gjë ndodh edhe me hipnozën, pra për të pasur efekt është i nevojshëm komunikimi mes hipnoterapistit dhe klientit.

Po për çfarë konkretisht mund të përdorni hipnozën?

1. Lënia e cigares.

Gjatë seancave përdorim hipnozën për të ndryshuar në nivele të thella mënyrën si klienti mendon për cigaren, duke e ndihmuar atë që të gjejë motivin e lënies së duhanit brenda vetes.

2. Ulja nga pesha

Me anë të hipnozës nënvetëdija merr kontrollin e zakoneve dhe mënyrave të të ushqyerit.

3. Dhimbjet fizike.

Kërkimet e ndryshme kanë vërtetuar që hipnoza është një mënyrë efikase për uljen e dhimbjeve akute dhe kronike. Gjatë seancave të hipnozës jeni në gjendje relaksi, gjë që duke anashkaluar pjesën e vetëdijshme, u jep mundësinë për të pasur akses të drejtëpërdrejtë në nënvetëdije. Fokusi me fokus në një ide apo mendim të vetëm, bën që të mos merreni me pjesën ku ndjeni dhimbje.

4. Varësitë e ndryshme.

5. Lindjet me ndihmën e hipnoterapisë.

Lindja është e dhimbshme. Dhimbja prodhon hormonin e stresit, shton rrahjet e zemrës dhe personi duke qenë në këtë gjendje, nuk mund të jetë edhe në gjendje relaksi njëkohësisht. Me hipnoterapinë çlirohen kemikale të tjera, si endorfina që relakson muskujt dhe shërben si analgjezik kundër dhimbjes.

6. Kapërcimi i zakoneve të këqija, si për shembull ngrënia e thonjve, shkulja e flokëve, zvarritja e të tjera.

7. Për të përballuar traumat e ndryshme emocionale.

Traumat emocionale janë rezultat i një ngjarje traumatike, i një situate stresuese të cilat bëjnë që personi të ndihet i pasigurt, të ketë frikë, të ndihet i vetmuar e të tjera. Me hipnozën, pa marrë parasysh se cila ka qenë ngjarja, qoftë edhe përdhunim, personi ka mundësi të përmirësojë cilësinë e jetës.

8. Depresioni

 9. Ankthi

 10. Kapërcimin e OCD-së

 11. Menaxhimi i stresit

12. Frikërat dhe fobitë e ndryshme

Hipnoza nuk është diçka ”në modë”, por është një mjet terapeutik shumë i fuqishëm, i cili ndihmon për kapërcimin e shumë problemeve dhe sfidave me të cilat ndeshemi në jetën e përditshme.

Pavarësisht se askush nuk mund të parashikoj  të ardhmen, hipnoza është një formë terapie pa efekte anësore, e cila i ndihmon jerëzit që të jetojnë një jetë më të mirë për gjithë vitet që kanë para vetes.