Të jesh DIKUSHI apo të bësh DIÇKA, kjo është çështja!

Shpesh egoja që kemi brenda vetes, sidomos kur arrijmë diçka në jetë, na vë para një sprove të fuqishme dhe nga vendimi që marrim për X problem, krijojmë apo shkatërrojmë të ardhmen tonë.

Nëse vendosim për të qenë dikushi duke shkelur mbi parimet tona, duke shkelur të drejtat e të tjerëve ka shumë gjasa të humbasim miqtë, të humbasim njerëz të afërt, të humbasim respektin që ngrihet me shumë vështirësi, por më e keqja nga deliri i madhështisë apo egoizmit të tepruar humbasim dinjitetin, humbasim veten.

Nëse vendosim të bëjmë diçka (diçka për të mbrojtur të drejtat e vetes apo të dikujt, kundërshtojmë diçka që nuk na duket e drejtë, bëjmë diçka për komunitetin ku jetojmë, diçka për vendin, diçka për një të ardhme më të bukur për brezat që vijnë, diçka për mjedisin, diçka për të luftuar racizmin, etj., etj. – lista mund të jetë e pafundme), mund të humbasim respektin e shefave, por nuk humbasim dinjitetin, mund të humbasim të ardhura monetare, por nuk humbasim gjumin e natës, mund të humbasim ngritjen në detyrë, por nuk humbasim miqtë e vërtetë.

Por çka është më e rëndësishmja me këtë bërje të diçkaje bëhemi dikushi, jemi NDRYSHIMI, jemi ai ndryshimi aq i domosdoshëm në shoqërinë e sotme, se në shoqërinë e djeshme ndryshimi ishte dikush tjetër, ndryshim pa të cilin nuk mund të gëzonim këto të mira që gëzojmë sot.

Le të mundohemi të bëjmë diçka, sado të vogël, për tu bërë dikushi në këtë botë tepër kaotike, pavarësisht (jo)madhështisë që (s`)arrijmë.