Të gjithë e dimë që Dielli nuk fle asnjëherë, e dimë që pavarësisht se tani këtu është natë, në pjesën tjetër të rruzullit tokësor ai vazhdon të ndriçojë dhe të ngrohi me rrezet e tij.
Po e njëjta gjë ndodh edhe në jetën tonë të përditshme, jetë me momente të errëta, momente të vështira, momente kur shpesh nuk e dimë pse jetojmë, momente kur humbasim në këtë humnerë errësire, humnerë e krijuar nga këto probleme, qofshin ato të mëdha apo të vogla.
Por nuk duhet të harrojmë asnjëherë se edhe Dielli e ka një arsye se pse nuk na ngroh 24 orë. Dielli e ka të qartë që na duhet ajo errësira dhe gjumi i natës për tu shlodhur, Dielli na jep mundësinë të çohemi më të kthjellët dhe me mendime më të qarta.
Ndodh shpesh, shumë shpesh që Dielli, pikërisht si ato problemet e jetës sonë, të mbulohet nga retë☁🌧; re të bardha, re gri apo re të zeza, por pas shiut, breshërit apo furtunave⛈, qofshin këto edhe cunami 😄, gjithmonë del Dielli🌥⛅🌤☀. Rrezet dhe ngrohtësinë tij e shijojmë shumë më tepër sesa ta kishim përditë mbi kokat tona.
Ndoshta nga i njëjti këndvështrim duhet të shofim edhe sfidat e jetës, çdo fitore, çdo arritje sa më e komplikuar të jetë aq më e këndshme bëhet. Çdo gjë e arritur me mund na bën të ndihemi më të plotësuar, më krenar me veten, pasi gjatë kësaj rruge kemi mësuar dhe çmësuar shumë gjëra. Por çka është më e rëndësishmja, shpesh duke pritur këtë “dalje Dielli”, kalisimin një nga virtytet më të bukura të njeriut, DURIMIN. Gjatë kësaj rruge kuptojmë që këtë dritë rrezatuese duhet ta kërkojmë brenda vetes dhe le të mos harrojmë që kjo dritë e brendshme, ashtu si edhe dielli, pavarësisht asaj çka ndodh rreth nesh, ndriçon gjithë kohës: ndriçon gjatë natës, ndriçon kur bie shi, ndriçon kur jemi të lumtur, ndriçon kur jemi të inatosur, të mërzitur, të lodhur, të qeshur, të zhgënjyer, të dashuruar, të lënduar, të sëmurë.
Ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme e kemi shtyrë thellë brenda vetes dhe është strukur në një skutë pikërisht për të ruajtur shkëlqimin e saj.
Apo ndoshta mos vetë Dielli apo ajo drita e brendshme nuk e kanë ciklin 24 orësh për të na ruajtur nga vezullimi i tepërt, vezullim që mund të na verboj?!
Ndoshta ky “Diell” e kupton më mirë se ne, sa nevojë kemi për këto periudha e errëta në jetë pasi shumë shpesh errësira apo vështirësia është rruga apo çelësi drejt suksesit.☀
Nëse do të shofësh dritën e diellit, do të duhet të përballosh stuhinë.
– Frank Lane –