Kur jemi fëmijë zakonisht të rriturit na pyesin “Çfarë do bëhesh kur të rritesh?” Përgjigjet janë të ndryshme; mësuses, polic, mjek, këngëtare, shkrimtar, aktor, zjarrëfikës, futbollist, avokat, arkitekt… në atë periudhë e kemi përgjigjen në majë të gjuhës, sepse si fëmijë nuk dimë asnjë gjë rreth punës, karrierës, jetës, financave dhe zgjedhim një profesion i cili na pëlqen.

….dhe pastaj ne rritemi….

Jemi para një realiteti tjetër  17, 20, 30, 40 vjeç..

Vetëm tani e kuptojmë që përgjigja për këtë pyetje kërkon pak më shumë se thjesht atë çfarë na pëlqen, kërkon të jemi paksa praktik pasi në fund të fundit duhet të kemi ardhura normale për të (mbi)jetuar. Vetëm tani e kuptojmë që  çdo zgjedhje e profesionit është  përgjegjësi dhe kjo zgjedhje ka edhe pasoja, qoftë për mirë apo për keq.

Por zgjedhja e karrierës ka të bëjë me zgjedhjen e studimeve, cilën degë zgjedhim, ku e shohim veten më vonë?

Si mund të  zgjedhim më lehtë karrierën e duhur?

Mendojeni veten në një të ardhme në vendin e punës.
Ku e shihni veten në një zyrë apo diku me një punë në terren, në një laborator apo diku profesor, zjarrëfikës apo politikan, gazetar apo shkrimtar!
Cila fushë ju tërheq më shumë?
Si i mendoni kolegët tuaj të ardhshëm?
Çfarë të bën edhe tani të lumtur? Listën e atyre fushave që ju pëlqejnë zvogëlojeni dhe nga këtu filloni të përqëndroheni tek  këto të dhëna, si për shembull:
Cilat janë hobit e tua, përvoja e deritanishme, cila është ajo gjë që do ta bëje më me qejf që këtë moment, cila është ajo gjë rreth së cilës lexon me endje, cilat do ishin përgjigjet që do jepnit, qoftë edhe në mes të natës kur dikush ju zgjon nga gjumi?

Gjithë të rinjve të cilët janë në kërkim të kësaj do t’ju thosha që këto përgjigje përdorini për të planifikuar karrierën tuaj të ardhme. Mos u ndikoni shumë nga ato çka ju thonë të tjerët, mos merrni shumë për bazë informacionet mediatike apo informacione të ndryshme se cilat profesione ofrojnë paga më të mira apo cilat profesione janë më të rehatshme, pasi është një paletë e gjerë faktorësh që ndikon tek ju për zgjedhjet tuaja. Shifni gjithë mundësitë, merrni informacione të ndryshme para se të vendosni për studimet e mëtejshme, flisni me njerëzit të cilët kanë përfunduar këto studime, pyetini për përvojat e tyre, pyetini sa të kënaqur janë dhe natyrisht kërkoni dhe ndihmën e ndonjë konsulenti që merret pikërisht me fushën e studimeve dhe punësimeve.

Pra bëni gjithçka që të mund të kuptoni sa më shumë fushën e studimeve që do donit të vazhdonit, lëndët që përfshihen në programin shkollor dhe absolutisht zgjidhni me kujdes në cilin Fakultet do studioni, pasi jo gjithë diplomat vlerësohen njësoj dhe natyrisht zgjidhni mundësinë më të mirë për ju. Mos ju kushtoni shumë vëmendje këshillave të tjerëve se cilat studime ja vlejnë, mos ju kushtoni shumë vëmendje asaj çfarë dëshiron prindi për ju pasi ndodh shumë shpesh që prindi me anë të fëmijës do të plotësojë dëshirat e veta, as ndryshimeve apo trendeve në fushën e biznesit, pasi ekonomia e tregut është nën ndryshim konstant. Nëse marrim një shembull; arkitektura është profesion fantastik, por me zhvillimin e sotëm grafik & dizajn është më i kërkuar se arkitektura (dhe kjo në fusha të ndryshme).

Por mbi të gjitha guxoni, guxoni të bëni diçka ndryshe sepse jeni vetë krijues të jetës dhe të së ardhmes tuaj.

Sot po ndodh fenomeni i shkollimit masiv dhe në fund del një brez kuadrosh që nuk mund të punësohen dhe pasoja e këtij fenomeni është që po kujdesemi në mënyrë konstante të nxjerrim brezin e humbur. Ky brez vazhdon edhe një Fakultet tjetër me shpresën se do jetë më i lehtë punësimi, dhe historia vazhdon.

Mos ndoshta ne si prindër dhe kujdestar kemi dalë pak nga rruga?! Shumë prindër i shtyjnë fëmijët të kenë nota të mira – arrijnë edhe të paguajnë profesorët vetëm për këto nota -, i detyrojnë fëmijët të ndjekin lloj lloj kursesh që në kopësht, por pa marrë parasysh dëshirat e fëmijës. Çfarë ndodh në fund pasi kanë në xhep një, dy apo tre diploma? Ngelen pa punë pasi në shumë firma marrin përgjigjen që janë më të pregatitur nga sa mund ti paguajë firma, njohin teorinë por nuk kanë idenë e praktikës etj. Pikërisht për të evituar këto probleme të ndryshme që mund të dalin pas shumë e shumë vitesh studime, ndoshta do ishte mirë që prindërit të merren pak më shumë me fëmijën për të zbuluar talentin e tij dhe ta drejtojnë më vonë të studiojë atë gjë që e ka më për zemër dhe natyrisht për të kuptuar fëmijën dhe talentin e tij duhet filluar shumë herët jo 6 muaj para përfundimit të shkollës fillore apo të mesme, prindi mund të japi disa mendime por ansjëherë nuk duhet ti imponojë fëmijës dëshirat e tij. A është e thjesht? JO. Shpesh edhe vetë prindërit gjenden në një pikë të vdekur dhe në moshën 40-45 vjeçare ndërrojnë komplet karrierën, pra është një zgjedhje për të cilën jemi gjithmonë tepër të rinj për të vendosur, por të paktën mos të harrojmë asnjëherë; nuk ka rëndësi çfarë profesioni ke, parukiere, polic, mësues, avokat, pastrues, fermer, deputet, ministër… e rëndësishme që puna që kryen të plotëson, të bën të ndihesh mirë dhe shkon me kënaqësi në vendin e punës. I lumtur mund të jesh vetëm nëse bën atë që të pëlqen, vetëm nëse paguhesh për punën që bën dhe që ndihesh i respektuar për këtë punë që bën. Cili është ky profesion? Kemi karaktere të ndryshme dhe asnjë nuk është për gjithçka, por nëse e njeh veten dhe nëse e di se çfarë të plotëson mund të jesh një kuzhinier apo fermer i shkëlqyer. Të parët kanë thënë puna është nder dhe në fakt PUNA ËSHTË NDER.

Me zhvillimin e ditëve të sotme për të qenë i suksesshëm në të ardhmen janë disa tipare dhe aftësi të tjera: kurioziteti, kreativiteti, iniciativa për të bërë atë që të plotëson, për të bërë diçka ndryshe, të menduarit shumëdisplinor apo personalisht do ta quaja mendimi tre dimensional; komunikimi, respekti dhe empatia.

Nëse do dëshironit informacione më tepër, ju lutem më kontaktoni.

ose

[email protected]

Mob. +38631677245 (viber, whatsapp)