Si mund të realizosh një ëndërr apo ëndërrat që ke?

Shumë e thjeshtë, duke hedhur çdo ditë një hap drejt asaj që ëndërron.
Të gjithë e njohim shprehjen gur gur bëhet mur, por në të vërtetë a e kuptojmë thelbin e saj?
A nuk e lodhim veten duke kërkuar diçka shpejt e shpejt, a nuk bëhemi 100 copë për të realizuar një dëshirë këtë moment, këtë muaj, këtë vit? Duhet të kuptojmë të vërtetën lakuriqe, që asnjë lloj biznesi nuk mund të na sjell kurrë në një periudhë të shkurtër aq sa të mund të jetojmë rehatshëm deri në fund të jetës.

Për të arritur këtë duhen shumë gjëra: të duhet të jesh i mirë në fushën tënde, të duhet të kombinosh shumë njohuri, të duhet të ofrosh shërbim klienti perfekt – sot konsumatori është më i zgjuar se prodhuesi, të duhet të kesh idera dhe koncepte të reja, të duhet të jesh një hap para konkurencës, të duhet të ecësh në një hap me zhvillimin, por mbi të gjitha, nëse do të ngresh diçka që ti mbijetojë kohës, të duhet durim.

Po ki kujdes, pasi çdo gjë vjen në kohën dhe momentin e duhur, por pa hedhur këta hapa të vegjël edhe mund të mos vij kurrë 😟

Fillo ndryshimin në sjelljet dhe rutinat e përditshme, hiq dorë nga gjërat joproduktive, merr përgjegjësira dhe rreziqe si në jetën personale ashtu edhe atë profesionale. Secili nga këto veprime ju afron çdo ditë e më shumë me ëndërrën tuaj.
Pas çdo hapi që hedh ji pozitiv dhe mos harro asnjëherë që pas çdo fitoreje apo arritjeje është dashur shumë gjak, djersë apo lot. Në ditët  e sotme, me zhvillimin e kohërave moderne nuk duhet më gjak, falë gjakut që kanë derdhur brezat para nesh, që brezat si ne të shijojnë  këto të mira dhe lehtësira që kemi sot, por djersa dhe mundimi për të ngritur diçka ende duhen.
Gjatë kësaj rruge drejt ëndërrës mos harro pasionet dhe parimet e tua. Shpesh, pavarësisht situatës financiare, ngelemi aty ku jemi, ose jemi të pakënaqur, me ato që arrijmë pikërisht se ngelemi me vite të tëra të bllokuar në një jetë ku mungon pasioni, në një jetë ku mungon buzëqeshja, në një jetë pa gëzime, në një jetë ku nuk gjejmë më se përse po bëjmë këtë që po bëjmë, në një farë mënyre gjatë rrugës na verbojnë dritat e metropolit dhe nuk dimë më se kush jemi, në këtë metropol dritash dhe bollëku humbasim  veten, harrojmë parimet tona, nuk i kushtojmë vëmendjen e duhur dashurisë së pastër, nuk vlerësojmë dhe shijojmë ato që kemi pasi, ashtu si më kanë thënë disa nga coachat e mi qysh në fillimet e mia drejt zhvillimit personal “Nëse nuk di të bësh diçka me atë që ke, jeta nuk të jep më tepër.”

Në punë duhet etika, ndërsa gjatë pushimit një lloj tjetër virtyti. Përdori të dyja, mos neglizho asnjërën.

– Alan Cohen –