Kurioziteti për sjelljen njerëzore më ka sjell deri në këtë nivel ku jam sot, prandaj syrit tim, pavarësisht se jam ende në plazh nuk i shpëtojnë disa raste.
Pavarësisht se jam kundër krahasimeve, në këtë rast po dal jashtë kornizave të mia.

Dy raste të ndryshme, dy familje të ndryshme:
1 familje shqiptare me 3 fëmijë (2 djem dhe një vajzë), mosha e tyre afërsisht 4  – 12 vjeç.
Pranë tyre 1 familje ukrainase (të paktën ato targa makine kishin), po me tre fëmijë (2 vajza dhe 1 djalë), mosha afërsisht 3 – 10 vjeç.
Çdo prind besoj e ka të qartë që fëmijët, pa marrë parasysh nëse janë shqiptar, sllovenë, ukrainas, amerikan, kanë kërkesa nga të ndryshme, zihen me njëri-tjetrin, bezdisen, kanë tekat e tyre, pra këto gjëra janë mëse normale, sidomos kur janë disa fëmijë së bashku.
Arsyeja për çfarë po shkruaj ishte reagimi dhe sjellja e prindërve shqiptar dhe atyre ukrainas ndaj fëmijëve të tyre.
Në lojë e sipër poshtë çadrës, djali ukrainas i hodhi rërë motrës së vogël dhe ajo filloi të qante pasi i shkoi në fytyrë dhe po e bezdiste, nëna ju foli të dyve me një zë shumë të qetë (nuk e di se çfarë i tha), por i vëllai e mori motrën për dore, u futën të dy me kujdes në ujë, e pastroi motrën dhe filluan të luanin dhe të zhysnin njëri-tjetrin në det, pra me kaq drama mes tyre mori fund.
Pak më vonë rasti i familjes shqiptare.
Kur fëmijët po hanin biskota, fëmijës së dytë (vajzës) i ra biskota nga dora. Zëri dhe breshëri i fjalëve të nënës që lëshoi ndaj vajzës së vet, ndoshta 8 vjeçare, na trembi të gjithëve: “Tu thathtë dora! Nuk di të hash si njeri. Shikoje vëllain, kurrë nuk bën gabime. Ajo bashkë me vëllain, nga turpi, sikleti që ndodheshin mes njerëzve, filluan ti thoshin, o ma se do pastroj rërën e do ta ha; o ma mos bërtit më”.
“Tani do më tregosh që edhe ç’të bëj, s’ke për tu bërë ndonjëherë njeri”.
Kuptohet edhe djali i vogël u tremb aq shumë sa filloi të qante.
Zonja vazhdonte me refrenin e saj: “Bëhet plazh me ju, fëmijë të mbrapshtë”.
Kur  ndërhyri bashkëshorti tonaliteti i zërit të saj mori edhe disa ngjyra të tjera.
Zgjidhja e tij ishte që mori portofilin dhe u kthye pas 1 ore, kur ndoshta pas 2 birrash  ishte më i qetë dhe e pyet bashkëshorten: “Hë u qetësove tani”.
Natyrisht raste me ngritje zërash, ulërima, fjalor të papranueshëm në plazhet shqiptare, ndeshen shpesh dhe ky rast nuk është unik.

Pyetja ime është,
kur do mblidhemi si komb,
kur do vij momenti të bashkojmë forcat,
kur do kanalizojmë gjithë energjitë pozitive për të shëruar plagët e këtij komuniteti të traumatizuar?
Dikur kam lexuar që ekstremistët dhe kundërshtarët në të dyja anët e politikës, fanatikët fetar apo kundërshtarët e çdo lloj ideologjie tjetër kanë shumë më tepër gjëra të përbashkëta nga çfarë ata mendojnë.
Mos ndoshta ka ardhur koha që këtij komuniteti disamilionësh të traumatizuar për arsye nga më të ndryshmet, ti hapim disa dyer të reja, ti japim mundësira ndryshe, në mënyrë që të jemi iniciatorët e shërimit të kësaj traume kolektive?!
Kur si qenie njerëzore bëhemi së bashku të ndajmë luftërat, dhimbjet, shpresat, ëndërrat tona, pa marrë parasysh çfarë bindjesh politike, fetare, personale, ideologjike kemi, mundemi të kapërcejmë çdo vështirësi.
Çdo gjë është vendim, çdo vendim është përgjegjësi, çdo përgjegjësi është vetëdijësim, vetëdijësimi është zhvillim.
Dhe këta fëmijë e meritojnë zhvillimin, për hatër të këtyre brezave të ardhshëm, ndoshta ka ardhur momenti kritik që ne si të rritur të shërojmë plagët dhe traumat e vjetra emocionale, për ti hapur vetes dhe fëmijëve tanë horizonte komplet të reja.
Dhe ky ndryshim fillon brenda shtëpisë, fillon brenda vetes.

A do donit të njihnit shkencën drejt vetëdijësimit, zhvillimit?

A do donit ta bënit më të lehtë rrugën tuaj drejt këtij ndryshimi të brendshëm?
A do donit të nhihnit teknikat dhe metodologjinë si të mund të merrni ju kontrollin për jetën tuaj?
A do donit të ndërprisnit rrethin vicioz të traumave të trashëguara ndoshta edhe me breza, trauma persolae, shoqërore, kulturore, fetare e të tjera?
Për çdo informacion klikoni këtu