Një nga gjërat më me vlerë që kam mësuar në këto vitet e fundit është largimi i vetëdijshëm nga ngjarjet e së kaluarës.
Le të mos parkojmë veten në ndodhitë e së kaluarës dhe le të mos kërkojmë justifikime tek ndodhitë e së shkuarës për gjendjen ku ndodhemi tani, pasi çdo makinë e ngelur për një kohë të gjatë në një parking, sidomos në një parking të baltosur, diku në errësirë jashtë zonave të zhvilluara, ndryshket. Duke vazhduar të mendojmë për të kaluarën, dhe sa më gjatë ta lemë të grumbullohet brenda nesh ky ndryshk i së kaluarës, aq më të vështirë do ta kemi pastrimin e tij. Sa më shumë kohë të zgjasi aq më pak kohë apo vullnet do kemi për të gjetur fuqinë brenda vetes për të ndryshuar të sotmen.
Të kaluarën asnjëherë se ndryshojmë dot, është pjesë e jona, por mund të ndryshojmë këndëvështrimin ndaj ngjarjeve së kaluarës.
Ndoshta nuk duhet të tregohemi kaq strikt ndaj njerëzve të cilët kanë pasur rolin e tyre në këto ndodhira apo kanë qenë e vazhdojnë të jenë pjesë e jetës sonë, ndoshta nuk duhet të tregohemi fare strikt ndaj vetes, ndoshta do ishte shumë më mirë ti pranonim këto ndodhira me lakuriqësitë e tyre sepse këto ndodhira të dhimbshme apo më pak të dhimbshme të së kaluarës janë eksperienca të domosdoshme, eksperienca që na rrisin si njerëz, eksperienca të cilat na çojnë një faze më lart drejt zhvillimit personal. Në fund të fundit këto eksperienca kanë formuar njeriun që shofim këtë moment para pasqyrës. Një nga coachat e mi dikur më tha: “Nëse nuk të pëlqen se çfarë shef në pasqyrë, bëj diçka të ndërosh pamjen; jo duke thyer pasqyrën apo duke e ndërruar me një të re, por duke ndryshuar veten.”
Duke i pranuar këto të vërteta lakuriqe të së kaluarës dhe duke i parë nga një këndvështrim i ri, hyjmë në një fazë të re jete dhe në një fare mënyre pikërisht tek këto eksperienca gjejmë kurajon dhe zbulojmë përsëri forcën e brendshme të fshehur diku në skutat e errëta brenda vetes.😀🤗❤💗💛💜💞


