Në një nga seminaret e para në të cilin kam marrë pjesë për zhvillimin tim personal, ka qenë seminari i të famshmit Brian Tracy.
Midis shumë tematikave të tjera, u prek dhe tematika e rrjeteve sociale dhe më konkretisht koha që harxhojmë gjatë ditës me këto rrjete sociale.
Të dhënat, sipas studimeve më të fundit, janë alarmante dhe reagimi im për të ndryshuar lidhjen me rrjetet sociale apo ndjekjen e “reality show-ve” ishte i menjëhershëm.
Obsesioni që kemi krijuar me rrjetet sociale quhet mallkimi i kohëve moderne.
Sipas të dhënave nga studimet e ekspertëve, të cilët janë marrë me këto kërkime, sot një person i rritur harxhon 3,5 orë në ditë me emailet,
rrjetet sociale apo appet e ndryshme që përdorim gjatë ditës.
Më poshtë do të gjeni disa të dhëna mbi kohën mesatare që harxhojmë gjatë jetës sonë për aktivitete të ndryshme (gjatë studimit kanë marrë parasysh jetëgjatësinë mesatare).
TV: 7 vjet e 8 muaj
Rrjetet sociale: 5 vjet e 4 muaj
Të ushqyerit: 3 vjet e 5 muaj
Pastrimi: 2 vjet e 4 muaj
Koha që kalojmë me fëmijën: 8 minuta në ditë 😣🤔
Vetëm duke pasur para vetes këto të dhëna të pamohueshme, e kuptova se çfarë mund të arrij në jetën time sikur këto 5 vjet kushtuar rrjeteve sociale
apo gati 8 vjet programe televizive, t`ja kushtoja komplet një drejtimi tjetër, dhe mos më keqkuptoni asnjë nuk është kundër tyre
pasi njohja e përdorimi i tyre sot është dosmosdoshmëri, por problemi del thjesht kur analizojmë sa orë në ditë ju kushtojmë dhe çka është më e rëndësishmja, për çfarë i përdorim?
Pas studimit të të dhënave të mësipërme, fillova të kërkoja një mënyrë “shërimi” të vetes nga kjo “epidemi“, personalisht harxhoja shumë kohë me lojrat online dhe me facebook-un.
Mu desh të punoja disa kohë me veten për tu distancuar sa më shumë nga ky obsesion dhe për ju sot kam pregatitur disa këshilla shkurt,
këshilla që ndoshta mund të ndihmojnë dikë për tu distancuar nga kjo epidemi dhe për ta pasur më të lehtë rrugën drejt ndryshimit apo suksesit:
Mos ndiq imazhet e retushuara në mediat sociale, por ndiq zonjat, zonjushat dhe zotërinjtë e vërtetë në jetën e vërtetë!
Mos ndiq thëniet në Google, por lexo libra dhe kërko ato që të përshtaten ty!
Mos ndiq “reality shows” në kanale të ndryshme se nuk kanë të bëjnë me realitetin, por ndiq realitetin që të rrethon dhe nëse nuk të pëlqen, bëj diçka për ta ndryshuar!
Mos ndiq dhe mos bjer viktimë e fjalëve të bukura, por ndiq buzëqeshjet që vijnë nga zemra!
Mos ndiq realitetin fallco që tregojnë mediat, por ndiq jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm, pasi tek ata mund të gjesh forcën dhe kurajon!
Mos ndiq ëndërrat e të tjerëve, por ndiq ëndërrat e tua!
Duke ju uruar një ditë sa më të bukur, shpresoj që ndoshta këto këshilla ti ndryshojnë dikujt lidhjen me këtë pandemi të kohëve moderne.


