Cila është gjëja më e keqe që ju ka thënë dikush?
Si ju (nuk)përgjigjeni njerëzve që shajnë apo janë të mbushur me urrejtje?
Çfarë do mendojnë tani ata që më urrejnë 😲😏😃?
Vendosa të shkruaja diçka rreth kësaj teme, pasi në muajt e fundit jam treguar më e vëmendshme ndaj ofendimeve
dhe kritikave në rrjetet sociale, në gazeta, në revista të ndryshme ndoshta kjo urrejtje haset edhe në programet televizive,
por nuk mund të komentoj pasi vetë nuk i ndjek.
Me të drejt më lind pyetja, përderisa nuk e marrim guximin ti themi diçka apo mendimin tonë dikujt direkt
apo nëpërmjet një debati konstruktiv, pse duhet të komentojmë të fshehur pas një ekrani kompjuteri apo telefoni?
Pse duhet që gjithë frustrimet e ditës ti nxjerrim tek një shkrim online, duke bërë komente plot mllef dhe gjithë helm,
me fjalë që ndoshta në fjalorin e përditshëm nuk do na shkonte kurrë në mend ti përdornim
apo kundër një personi që ndoshta as nuk e kemi takuar dhe as do kemi mundësinë ta takojmë ndonjëherë gjatë jetës sonë?
A është e nevojshme kjo kritikë dhe pse?
Mos ndoshta gjithë këto ofendime kanë të bëjnë me problemet personale që kanë vetë këta kritikë të flaktë në jetën e tyre të përditshme?
Tek disa raste që i kam hasur edhe vetë gjatë jetës sime, në lidhje me mua apo me njerëzit që më rrethojnë, kam gjetur përgjigjen e kësaj pyetje:
Një zonjë do të jetë elegante por nuk i shpëton dot tundimit të ëmbëlsirave – gjithë këtë moskontrollim të obsesionit të saj
e nxjerr tek kritikat e pafundme ndaj kolegeve, shoqeve…
Dikush nuk ka punë apo të ardhura të kënaqshme dhe kritikon vazhdimisht ata që ndodhen në një pozicion më të mirë,
por prapë vetë nuk ka fuqi dhe nerva të studiojë më tej apo nuk gjen kohën për të ndjekur një kurs të veçantë në fushën e tij,
kurs i cili mund ta ndihmonte të ngjitej një shkallë më lart.
Nëse partneri i dikujt ka “bark” dhe kjo zonjë/zonjushë është e pakënaqur, etiketon partnerin e shoqes
me fjalë të tilla si “fodull”, “krekoset”, “i duket vetja i bukur”, vetëm për faktin që ai ndihet mirë me pamjen e tij,
ndoshta kjo pakënaqësi e brendshme mund të mos ketë fare lidhje direkte me këtë “bark”!?!?
Nëse dikush ka rezultate të shkëlqyera në shkollë i vemë damkën “ai/ajo peshkopja” dhe kjo për arsyen e thjesht
se do donim ti kishim vetë ato rezultate të mira, por nuk “kemi kohë” as 15 minuta për të studiuar.
Dikush me punë të palodhshme blen një apartament apo shtëpi të rehatshme dhe për faktin
se nuk kemi arritur vetë nivele të kënaqshme, e etiketojmë pa fakte të mirëqena si “mashtrues”, “hajdut”.
Arsyet për kritika mund të jenë pa fund dhe nëse kërkojmë gjithmonë do gjejmë diçka që nuk ka pëlqen.
Shpesh mjafton vetëm një kritikë e tillë në rrjetet sociale dhe numri i tyre shtohet,
secili shpreh opinionin e vet pa u menduar gjatë.
Reagimi i të kritikuarit në raste të tilla ka të bëjë me karakterin e tij/të saj,
sa më karakter i fortë aq më pak reagon ndaj këtyre kritikave ose nuk reagon fare.
Nga momenti kur e pranojmë trupin dhe format që kemi, pranojmë dhe qëndrojmë pas gabimeve,
mendimeve apo arritjeve tona të vogla apo madhore, aq më mirë do ndihemi me veten dhe kur ndihemi mirë me veten
të gjitha këto kritika i anashkalojmë, të gjitha këto kritika nuk janë më problemet tona,
por probleme të atyre që kritikojnë apo komentojnë.
Këshilla ime: nuk mund të jap asnjë këshillë, pasi nuk e di ku dhe në çfarë kushtesh jetoni,
cila është historia e jetës suaj, çfarë lidhjesh e marrëniesh keni,çfarë situate ekonomike
apo psikologjike keni, nuk e di sa të thella janë problemet tuaja etj., etj…., por thjesht do thosha:
mos u bëni xheloz, mos kini zilira, mos mbani inate të kota, mos mendoni negativisht për asnjë,
por mundohuni të gjeni mënyra për të arritur atë gjë e cila ju plotëson si njeri,
merruni me diçka që e bëni me shumë pasion dhe e sigurt që do arrini ndoshta edhe më lart se ai/ajo që urreni.
Ju uroj një fund jave sa më të bukur!🤗
“Mblidh çdo gur që të hedhin dhe ndërto një kështjellë!”