A e keni ndjerë ndonjëherë në jetën tuaj, që diçka nuk shkon, nuk jeni të lumtur apo të kënaqur me ato që keni arritur, ndiheni të humbur në atë rrethin vicioz të jetës së përditshme, doni të ndryshoni diçka dhe merrni në darkë një vendim të prerë që nesër me ditën e re do bëj këtë apo atë.

Dikush vendos të bëjë vrap për të humbur disa kilogramë apo ne femrat celulitin, sa pikë të dobët e kemi dreqin 😜, dikush të fillojë një kurs gjuhe të huaj, një kurs kompjuteri, dikush të lëri cigaren, dikush të ushqehet më shëndetshëm etj, etj…, secili prej nesh ka arsye dhe kërkesa të ndryshme.

Por, sa herë vendosim për të ndryshuar diçka nga jeta, ndoshta që të nesërmen nuk kemi më atë vrull apo dëshirë, ndoshta fillojmë të dyshojmë tek aftësitë e vetes ose thjesht e shtyjmë afatin dhe pas këtyre afateve të shtyra kalojnë ditët, javët, muajt dhe vitet dhe ne jemi po aty ku kemi qenë.

Gjatë kërkimit të vetes sime kam rënë disa herë pre e këtyre justifikimeve apo “arsyjeve (jo)llogjike”, por gjatë studimeve të kryera kohët e fundit dhe nëpërmjet ndihmës së coachave personalë, zbulova se recetës apo dëshirës sime i mungonte elementi kryesor.

Elementi kryesor për të kthyer apatinë time apo mosmotivimin në motivim është thjesht arsyeja dhe PSE-ja e fortë për çfarë po e bëj diçka në fund të fundit.

Duke kërkuar këtë PSE të fortë brenda vetes keni hedhur hapin e parë drejt motivimit por përsëri, a mjafton vetëm kjo PSE-ja e gjetur? Natyrisht që jo.

Në momentin kur gjeni atë PSE-në është tepër e rëndësishme hedhja e hapit të parë dhe çdo ditë duhet të lëvizni vetëm drejt asaj PSE-je, çdo ditë filloni ti shtoni diçka të vogël veprimeve tuaja dhe ju garantoj, që gjatë rrugëtimin tuaj do bëheni të pandalshëm.

Këto PSE-ra mund të jenë të lidhura me fusha të ndryshme, dikush kërkon pasurinë, dikush shëndetin, dikush një marrëdhënie të harmonishme me partnerin apo prindërit, dikush karrierën, dikush udhëtimet etj., etj.

Pyetja në vazhdim pasi gjeni PSE-në është po tani, hapi tjetër, si ta arrij? Me metodat e NLP-së (Programimi Neuro Linguistik), mund të mësojmë këto SI-të e transformimit të mendimit dhe me kalimin e kohës vijnë rezultatet.

A ka njeriu frikë dhe dyshime gjatë kësaj rruge? – absolutisht që po. Por gjithmonë nëse keni një PSE të fortë dhe arsye madhore për këtë që po bëni: a është për veten, për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për një komunitet ku jetohet më këndshëm, për të ndryshuar diçka në botë, arsyet dhe PSE-të janë të shumta, atëhere do të qëndroni të motivuar, rruga drejt arritjes së kësaj PSE-je do jetë më e thjeshtë.

Me një thënie nga OSHO, ju uroj një ditë sa më të bukur!

“Ndihmo botën që të bëhet një vend më i mirë. Mos ik prej saj duke e lënë ashtu siç e gjete – bëje pak më të mirë, bëje pak më të bukur.”

– OSHO –