Nëse jemi apo do të jeni të vëmendshëm ndaj natyrës dhe proceseve të saj si vullkanet, tërmetet etj., do kuptojmë që gjithë këto procese endogjene të padukshme shkaktohen nga forcat e saj të brendshme.
Të njëjtat procese të brendshme ndodhin shpesh edhe brenda nesh, sidomos kur fillojmë të bëjmë analiza të thella të vetes: nëse është kjo jeta dhe vizioni jonë, nëse janë këto ëndërrat tona apo thjesht po jetojmë ëndërrat e dikujt tjetër?
Me këtë proces kërkimi të vetes fillojmë të shofim veten nga një këndvështrim tjetër dhe kuptojmë që brenda vetes kemi një potencial apo potenciale të jashtëzakonshme të cilat nuk i shfrytëzojmë.
Me kërkimin e këtyre potencialeve fillojnë këto procese shndërruese të brendshme.

Si mundet të dallojmë potencialet e brendshme që janë në dobinë tonë dhe cilave duhet t`ju mbyllim derën?

E para duhet të kontrollojmë mendimet dhe ndjenjat tona të brendshme pasi këto mendime dhe ndjenja ndikojnë në sjelljen tonë dhe si rrjedhojë kjo sjellje ndikon në gjithë fushat e jetës sonë, në fushën e karrierës, atë të financave, të komunikimit brenda dhe jashtë familjes si dhe atë të shëndetit.

Të gjithë mund të dallojmë shumë shpejt dhe shumë qartë mendimin apo sjelljen negative dhe në momentin kur e kapim veten “mat” duke menduar diçka negative, le të kthejmë kursin e anijes ose siç thotë Dr. Joseph Murphy “Një deklaratë negative mos e ço asnjëherë deri në fund”, pasi ne jemi vetë kapitenë të mendimeve tona.

Gjithashtu të gjithë e kapim veten “mat” duke sharë me zë apo nën zë. Në këto momente mos lejoni këtë tërmet fjalësh të dalë nga goja, por kafshoni gjuhën, mbyllni sytë, mendoni diçka komplet pozitive, edhe nëse këto fjalë ja drejtoni një personi përballë jush, kërkoni falje se këto fjalë ndoshta rëndojnë më shumë vetë juve, sesa personin që keni përballë. Mendoni pozitivisht se, në radhë të parë, me këto mendime pozitive i bëni një favor të madh vetes suaj.

Meditimi. Gjatë rrugës sime të gjatë drejt zhvillimit personal një nga mënyrat më të thjeshta, fillimisht më dukej kjo metodë si e ardhur nga një planet tjetër 😲, ka qenë meditimi. Zbrazja e trurit nga çdo mendim, heshtja e pafundme që krijohet brenda trupit dhe mbyshja me ajër si e trupit apo trurit, është një nga metodat më efikase për eksplorimin e thellë brenda vetes ose qoftë për të luftuar ankthin apo probleme të tjera shëndetësore.

Shëtitjet e gjata në ajër të pastër, pa praninë e të tjerëve, na japin mundësinë e thellimit brenda vetes, ndoshta deri në ato pika ku kemi frikë të futemi në kushte normale. Këtu, secili vendos vetë për aktivitetin sportiv që i përshtatet natyrës së tij/saj, mund të përfshihet vrapi, noti, çiklizmi, skiimi, ecja në male etj., por e rëndësishme është lidhja që krijojmë me natyrën.

Besimi tek vetja. Për tu thelluar brenda vetes dhe për të ndërmarrë gjithë këto veprime që përmenda më sipër, është i domosdoshëm besimi tek vetja, nisma për të bërë diçka ndryshe dhe kurajoja për të vazhduar deri sa të shofim apo ndjejmë ndryshimet brenda vetes. Zakonisht ky ndryshim i brendshëm reflektohet edhe në pamjen e jashtme apo në sjelljen gjatë jetës së përditshme dhe njerëzit rrotull jush do ta vënë re. Vetë do ndiheni më mirë por edhe njerëzit që ju duan dhe i doni do jenë më të qetë, më të lumtur në shoqërinë tuaj dhe do tua venë në dukje këto ndryshime.

Pyetja më e shpeshtë që më kanë bërë apo edhe vazhdojnë të më bëjnë kohët e fundit është: dukesh shumë mirë, çfarë ka ndodhur me ty, mos je dashuruar gjë 😃 💖?

Përgjigja ime ka qenë dhe mbetet shumë e thjeshtë: po kam filluar të dua veten. ❤