Dora e butë thyen edhe gurin më të fortë, fjala e ëmbël thyen edhe zemrën më të egër.

Gjuha kocka s`ka, por kocka thyen!

Fjala, fjala sa fuqi dhe magji mban brenda vetes, fuqia sekrete e saj mund të ngrejë ura lidhëse ose të shkatërrojë gradaçela. Të gjitha këto aforizma të vjetra shpesh i harrojmë dhe me fjalët tona në vend që të ndërtojmë shpesh, dashje pa dashje, shkatërrojmë.

Një shoqja ime në pritje të metrosë, pa dashje u bë dëshmitare e një bisede shumë të shkurtër.

Një çift me dy fëmijë në një ditë normale duke pritur në stacion. Mes bisedave që kishin si familje babai tha: uf shpesh të qenit prind është e komplikuar dhe e pakëndshme, kuptohet të dy fëmijët u stepën. Pas disa sekondash ndërhyri nëna e këtyre fëmijëve dhe me qetësinë dhe fjalët e duhura në momentin e duhur e ktheu situatën jo tepër të këndshme për fëmijët në situatë komplet ndryshe.

Fjalët e saj ishin: babi donte të thoshte që të jesh fëmijë është shumë më e këndshme sesa të jesh prind.

Çfarë loje të bukur fjalësh gjeti zonja për të mos lenë plagë në karakteret ende të paformuara të të vegjëlve të tyre. Me këtë lojë fantastike fjalësh nga zonja dhe një shprehje që e kam lexuar dikur në një libër (fatkeqësisht nuk e mbaj mend autorin dhe librin, por si fjalë kanë qenë aq të forta sa nuk kam për ti harruar ndonjëherë), po e mbyll blogun për sot. “Fjalët ndriçojnë shpirtin dhe janë më të çmuara se gjithë xhevahiret e botës.”

Ju uroj një ditë me plotë fjalë xhevahire 💖!