Shpresa Rupar është një shqiptare e suksesshme e cila e ka zhvendosur prej vitesh jetën e saj në Ljubljana të Sllovenisë. Ajo ofron trajnime individuale si edhe në grup mbi zhvillimin personal dhe profesional. Shpresa ka studiuar pranë Akademisë Mastermind në Ljubljanë Programimi Neuro Linguistik, një qasje e re në rrugën drejt zhvillimit personal të individit, drejt formave si të largoni negativitetin nga jeta dhe të kërkoni suksesin. Në këtë intervistë për ‘’Albanian Woman’’ ajo rrefen
më shumë rreth eksperiencës së saj dhe rreth blogut që ka krijuar enkas për publikun shqiptar e në gjuhën shqipe http://www.everteta-lakuriqe.com/.

Kush është Shpresa Rupar? Kush ka qenë dje dhe kush është sot?

Historia ime deri në moshën 19-vjeçare, ashtu si ndoshta shumica e zonjushave dhe zonjave shqiptare gjatë kohës së komunizmit, është një histori mëse e zakonshme. Kur them e zakonshme kam parasysh pritshmëritë e shoqërisë së asaj kohe: shkollim, diplomim, një punë tetë orëshe, martesa, fëmijët , por rënia e komunizmit dhe përballja me një realitet të panjohur, më detyruan, ndoshta pa e kuptuar, të dal jashtë këtyre klisherave, paragjykimeve dhe pritshmërive të shoqërisë së asaj kohe. Kam lindur dhe kam jetuar në Tepelenë, në një familje 6 anëtarëshe me sfidat e zakonshme të jetës së asaj kohe, por pavarësisht vështirësive ekonomike, kam pasur fatin e madh që babai dhe nëna më dhanë mundësinë e vazhdimit të studimeve dhe këto studime ishin arsyeja e largimit nga familja që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare. Pas studimeve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë fillova punë pranë kompanisë sllovene Adria Airways, pikërisht këtu filloi lidhja ime me kulturën sllovene. Njohuritë e marra pranë kësaj kompanie më dhanë mundësinë e vazhdimit të karrierës sime brenda sektorit privat jo vetëm si e punësuar, por edhe si themeluese e kompanisë sime. Në vitin 2000, pas disa PO-ve e JO-ve të fuqishme brenda vetes mora vendimin e largimit nga Shqipëria dhe ky ndoshta ishte në atë kohë për mua një nga vendimet më të vetëdijshme që kam marrë. Më vonë mënyra e jetesës së bashku me bashkëshortin më dha mundësinë të jetoj në vende të ndryshme. Hobi apo pasioni im më i madh në jetë ka qenë leximi dhe ndoshta ky pasion dhe përshtatjet me realitete të ndryshme kanë qenë një nga investimet më të mira drejt zhvillimit personal. Sot ndihem shumë me fat të jem një produkt i kulturave të ndryshme.

Kujt ja dedikoni të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në jetën tuaj?

Qysh në fillimet e jetës mund të them që babai im me shpirtin e tij demokrat,ka pasur ndikimin më të madh në jetën time. Pavarësisht se vetë ishte një punëtor i thjeshtë, ndikoi në formimin e karakterit tim dhe pikërisht duke i mëshuar pa reshtur pavarësisë që duhet të kem si femër, si asaj financiare,por edha asaj shpirtërore. Pikërisht kjo ide e mbjellë në kokën time mund të them që më ka dhënë pa dashje forcë në vendimmarrje dhe në zgjedhjet që kam bërë gjatë jetës sime, por mbi të gjitha më ka bërë të kuptoj që jeta ime është përgjegjësia ime. Gjithashtu në jetën time gati 46 vjeçare kam pasur ndikime të shumta nga nëna dhe anëtarët e tjerë të familjes, nga mësues të ndryshëm, nga shoqëria ime si e vjetër edhe e re, shefa, kolegë pune e të tjerë njerëz me të cilët më ka lidhur jeta. Një rol tepër të veçantë ka luajtur bashkëshorti im i cili gjithmonë më ka suportuar dhe vazhdon të më suportojë në gjithë vendimet e mia.

Cila është fusha ku ju operoni? Cili është fokusi i asaj çfarë ju bëni aktualisht?

Për momentin mund të them që kam ditë tepër të ngarkuara, ndoshta është periudha më intensive e jetës time. Por para se të arrij tek fushat ku operoj sot, po flas shkurt për vitet e fundit të jetës sime. Para disa vitesh, pavarësisht librave pa fund që kisha lexuar, përvojave dhe studimeve të ndryshme, më ra në dorë një libër i cili më bëri të kthej kokën në një drejtim tjetër, ndoshta ishte ajo shkëndija e duhur në momentin e duhur, pasi brenda një periudhe tre vjeçare humba të dy prindërit. Këto humbje brenda një periudhe shumë të shkurtër, rutina e përditshme që nuk më jepte më kënaqësinë që prisja nga jeta, boshllëku që ndjeja brenda vetes u bënë arsyet kryesore që të kërkoja diçka më shumë nga jeta, pasi e kisha të qartë se mund të jepja shumë më tepër, por ankthi dhe netët pa gjumë po bëheshin makthi i jetës sime. Gjithmonë më ka tërhequr funksionimi i trurit, marrëdhëniet dhe komunikimi mes njerëzve dhe ky pasion i fshehur, plus librit të zbuluar rastësisht, më shtyu të bëj analiza për jetën time: kush jam unë, ku jam këtë moment, çfarë kam arritur dhe çfarë dua të arrij, si mundet t’i largohem negativitetit, si mundet të zgjidh këtë apo atë problem, si mundet të pranoj realitetin, qoftë edhe vdekjen si pjesë të jetës? Pikërisht këto pyetje dhe kërkime brenda vetes më çuan drejt një fushe komplet tjetër, fushë që është e lidhur tepër ngushtë me interesin tim të veçantë; psikoterapinë apo funksionimin e mendjes. Pas disa po-ve dhe jo-ve të fuqishme vendosa të studioj pranë Akademisë Mastermind në Ljubljanë një drejtim paksa të veçantë, Programimi Neuro Linguistik, një qasje e re në rrugën drejt zhvillimit personal. Ky program i përsosmërisë më bëri të kuptoj veten, më bëri të shoh gjithçka nga një këndvështrim tjetër. Me teknikat e këtij programi fillova të mendoj dhe të gjitha këto sollën një përmirësim të jashtëzakonshëm si në jetën personale, por edhe atë profesionale. Ende vazhdoj të jem e angazhuar si menaxhere e marketingut pranë firmës ku punoj në dhjetë vitet e fundit, por përveç kësaj pune duke parë ndryshimet fantastike brenda vetes dhe gjithashtu tek zonjat apo zotërinjtë të cilëve ju kam ofruar ndihmën time, ofroj trajnime si individuale edhe në grup pikërisht mbi zhvillimin personal dhe profesional, seminare që janë të lidhura drejtpërsëdrejti me NLP-në. Studimet ende po i vazhdoj pasi është një program me shumë nëndegë, pasi e trajton njeriun dhe zhvillimin e tij në mënyrë komplekse, si në fushën personale apo atë profesionale. Fokusi me anë të programit që ofroj “Mental make-up”, dhe që dua kam filluar ta përçoj edhe në Shqipëri, është pikërisht DUAJ VETEN, DASHURO JETËN, sepse e di shumë mirë çdo të thotë të urresh veten dhe jetën tënde, gjithashtu e kam edhe më të qartë çdo të thotë të DASHUROSH JETËN, qoftë edhe në ditët e errëta.

Çfarë parapërfytyrimi ju vjen kur dëgjoni fjalën grua shqiptare? Si është jeta e një gruaje shqiptare?

Si grua dhe si shqiptare e kuptoj shumë mirë gruan shqiptare, e kuptoj që ka sfida ndoshta më të mëdha se një nënë apo një grua që jeton në vendet e zhvilluara – e kam jetuar atë realitet dhe po jetoj dhe realitetin tjetër -, e kuptoj që jeton në një realitet mbytës, por jo vetëm gruaja, i njëjti realitet ju ofrohet në pjatë qoftë baballarëve, vëllezërve, partnerëve, miqve, fëmijëve, biznesmenëve, profesorëve, mjekëve, punëtorëve të thjeshtë, fermerëve dhe të gjithëve me radhë. Gjithashtu e kuptoj shumë mirë çdo të thotë lufta e brendshme, lufta kur kërkon veten, lufta kur kërkon një dorë apo një opinion tjetër për sfidën që ke para dhe pikërisht për të gjitha këto arsye para disa muajsh vendosa të ndaj njohuritë e mia online me anë të blogut që krijova enkas për publikun shqiptar në gjuhën shqipe http://www.everteta-lakuriqe.com/. Por shumë shpejt kuptova se nuk mjafton vetëm një blog, ky blog mund të jetë shkëndija e parë ashtu si u bë libri për mua, por shpesh kur nuk shohim dritë në fund të tunelit kemi nevojë për ndihmën e një eksperti, një ‘’coach’’ apo trajneri në fusha të caktuara për të gjetur fuqinë për tu ngritur mbi realitetin dhe në nëntor hodha hapin tjetër për tu afruar më tepër me publikun dhe gruan shqiptare. Dua që gruaja shqiptare të filloj të dojë veten dhe të dashuroj jetën, thjesht sepse e meriton, thjesht sepse është pikërisht gruaja motori lëvizës i shoqërisë. Zonjat dhe zotërinjtë shqiptarëvetëm me pak investim tek vetja mund të kenë një bashkëjetesë fantastike, mund të ngrenë një shoqëri tepër të shëndoshë, shoqëri për të cilën kemi sot të gjithë nevojë por ndoshta edhe më shumë brezi nesër.

Tani që jeni larguar çfarë raporti mbani me Shqipërinë ?Si është jeta juaj familjare dhe sociale në Slloveni?

Duke qenë se fatmirësisht jetoj relativisht afër Shqipërisë kam ruajtur lidhjet e mia me Shqipërinë, por më shumë në drejtimin personal.Në këto vite kam pasur edhe angazhime profesionale, jashtë fushës me të cilën merrem për momentin por për arsye personale, kanë qenë më të pakta. Familja për mua ka qenë dhe gjithmonë është në vendin e parë, pavarësisht se shpesh na kufizon në disa drejtime të tjera, sidomos në fushën profesionale, por është një nga investimet kohore më të bukura që mund të bëjë njeriu. Si familje gjithmonë mundohemi të kalojmë sa më shumë fundjavat së bashku dhe të gjejmë kohën për miqtë. Meqenëse së bashku me bashkëshortin jemi të apasiounar pas hiking dhe aktiviteteve të tjera në natyrë, mundohemi të lidhim jetën tonë sociale në kuadrin e këtyre aktiviteteve, aktivitete që fatmirësisht në Slloveni nuk mungojnë.

Cila është motoja juaj në jetë që ju ka bërë të ecni përpara, të keni synime dhe pritshmëri?

Në fakt gjatë jetës sime kam pasur moto të ndryshme, të pashkruara, por kur bëj analiza brenda vetes mendoj se motoja kryesore që më ka bërë të ecë para ka qenë dhe vazhdon të jetë të qenit vetëvetja dhe në çdo gjë që kam besuar e kam realizuar, d.m.th. shkurt “Atë gjë që beson e realizon”. Këto dy moto më kanë dhënë gjithmonë forcën për të insistuar dhe për të qëndruar pas vendimeve të mia.

Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?

Meqenëse dhe goca ime është tashmë më e pavarur, dëshira ime është që të jem prezent në Shqipëri me aktivitete të ndryshme të paktën një herë në muaj. Disa nga miqtë e mi qofshin shqiptarë apo të huaj më ka thënë e pse i hyn diçkaje që nuk ka zgjidhje, si ke nerva të dalësh nga zona e rehatisë në të cilën ndodhesh etj., etj. komente dhe janë pikërisht këto lloj komentesh që më japin më shumë forcë të vazhdoj pasi e kam shumë të qartë brenda vetes atë çka na duhet të gjithëve për të pasur një jetë të këndshme dhe jetën e këndshme nëse e vendosim mund ta bëjmë kudo ku ndodhemi. Gjithashtu nuk më pëlqen kur shumë nga bashkatdhetarët tanë, si nga ata që jetojnë jashtë apo brenda Shqipërisë thonë “Ky vend nuk bëhet, ky vend ka marrë fund, Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë”, etj., etj., pasi ky vend po bëhet, ky vend ka popullsinë më tëre dhe pikërisht për brezin e ri duhet të fillojmë të mendojmë si të mendojmë e si të flasim, ky vend ka nxjerr një kontigjent fantastik intelektualësh, ky vend ka mundësi të pafundme. Pse atëherë nuk duken rezultatet? Personalisht mendoj se mungon bashkëpunimi, nuk e kam fjalën për bashkëpunimin politik, i cili është po aq i rëndësishëm, por nëse fillojmë një bashkëpunim në si qytetarë të thjeshtë, zhvillimi është i paevitueshëm.

Nga Fatima Gorezi