Para disa ditësh më pyeti një zonjë se çfarë duhet të bëj nëse dikush bën diçka që nuk falet?

Përgjigja ime është shumë e thjeshtë, fale çfarëdolloj padrejtësie që mendon se të është bërë.

Ndoshta nëse nuk e ndjen ti thuashr dikujt “Të kam falur”,  mendo ta falësh brenda vetes, nën zë.

Pse është e rëndësishme për NE të falim?

Thjesht sepse NE duhet të largohemi nga çdo gjë toksike, dhe këtu mendoj jo vetëm largim fizik. Largimi emocional është edhe më i rëndësishëm, pasi duke ruajtur toksinat brenda vetes, NE dashje pa dashje helmojmë veten.

Sa nga ju keni dëgjuar mallkimet dhe fjalët tepër të rënda që dalin nga goja e dikujt?

Kur kam pyetur individë të ndryshëm se çfarë ndjejnë brenda vetes kur nxjerrin një lum të tillë fjalësh, në 90% të rasteve kam marrë të njëjtën përgjigje: nxjerr të keqen nga vetja.

Por a është e vërtetë që duke nxjerr këtë lum fjalësh largojmë gjithë ndjenjat e këqija nga vetja, a largohemi me gjithë mend nga këto helme të brendshme?! Mos ndoshta pa dashje i shtojmë edhe më shumë?! Këto fjalë apo mallkime mund të na largojnë dhimbjen fizike e mund të na çlirojnë nga inati i momentit, por ky lum fjalësh dhe mosfalje kanë pasoja të rënda për shëndetin tonë mendor.

Cilat janë disa nga pasojat e mosfaljes?

  • Humbja e besimit tek njerëzit që na rrethojnë dhe duke humbur besimin nuk arrijmë të krijojmë një komunikim konstruktiv.
  • Nëse nuk falim mbushemi çdo ditë me mendime negative. Nga frika se ndoshta dikush do na lëndojë përsëri, nuk jetojmë jetën. Frikës dhe mosbesimit i lejojmë të drejtojnë jetën tonë.
  • Të gjitha këto çojnë deri tek stresi kronik.

Kur nuk falim automatikisht mendojmë se tjetri ndihet keq, por në fakt është e kundërta, pasi NE nuk mundemi asnjëherë ti imponojmë tjetrit mendimet apo idetë tona, shkurt nuk mundet me fjalët apo sjelljen tonë ta bëjmë që ta vrasi ndërgjegja.

Kur falim tregojmë se jemi NE ata që  kujdesemi për veten, me faljen i japim fund vuajtjes sonë.

Nëse ndihemi njëherë keq nga veprimi i tjetrit dhe nëse nuk e falim, ne do vazhdojmë të vuajmë edhe më tej, mund të them që do ndjejmë të njëjtën dhimbje si plagës që i hedhim kripë. Edhe nëse personin që na ka bërë diçka të keqe nuk e takojmë më apo nuk na lidh puna me të, vetëm mendimi rreth tij, na bën ende të vuajmë.

Gjithashtu nuk duhet të harrojmë që vetëm një njeri jo i lumtur, jo i kënaqur me jetën e vet është i gatshëm ti bëj keq dikujt tjetër;
vetëm një njeri me probleme madhore brenda vetes është i gatshëm të lëndojë dikë tjetër pa u menduar gjatë;
vetëm një njeri që ndoshta vetë nuk ka ditur të dali nga rrethi vicioz nuk ka aftësinë të jetë i lumtur dhe nuk është në gjendje të ndajë të keqen nga e mira.

Le të mos biem në të njëjtën rrjet, le të mos lejojmë, në mënyrë të vetëdijshme, dikë të jetoj në një cep brenda nesh, le të mos e lejojmë të ulet këmbëkryq brenda mendjes sonë dhe të kontrollojë jetën tonë.

Është e vështirë të falësh se më këtë na duket sikur humbasim veten, por është edhe më e vështirë të vazhdojmë të vuajmë, është më e vështirë kur lejojmë një X ngjarje të kthehet në makthin e netëve tona. Vetëm duke falur, vetëm duke u treguar zemërgjerë mundet të ecim para në jetë.

Le të mos harrojmë asnjëherë që perfeksioni nuk ekziston dhe nëse nuk falim as të tjerët nuk do na falin.

Gjatë rrugës së jetës sime kam kuptuar që çdo gjë është një vendim, pra edhe falja apo mosfalja e dikujt është thjesht një vendim i vetëdijshëm.

Falja është një mundësi që të jepet për një fillim të ri.

Desmond Tutu