Çdo ditë dëgjojmë histori të ndryshme rreth vuajtjeve dhe humbjeve personale të personave të ndryshëm, vuajtje dhe humbje që sfumojnë ato tonat.
Kur krahasojmë situatën tonë me ato se çfarë kalojnë të tjerët, sidomos aty ku ka luftëra, konflikte etnike apo fetare ose me situatat ku ndodhen me qindra e mijëra njerëz pas katastrofave të ndryshme natyrore, problemet tona zvogëlohen dhe sikur harrohen.
Por a i harrojmë me gjithë mend apo thjesht me bluarjen e mendimit brenda vetes që ka më keq se unë, thjesht këto dhimbje zhyten diku thellë në brendësinë tonë për të shpërthyer një ditë ndoshta me një forcë më të madhe!
Sa të vetëdijshëm jemi për dëmin që i shkaktojmë vetes dhe shëndetit tonë duke vazhduar ti shtypim këto probleme thellë brenda vetes?
Nga përvoja ime personale dhe nga puna me klientë të ndryshëm kam kuptuar që në fakt, kur dëgjojmë për një problem më të madh se ai personali, e lemë aq shumë veten pas dore, saqë ky problem me kalimin e kohës bëhet tepër i rëndë për tu mbajtur. Thjesht do thosha që këto probleme, pasi zakonisht një problem nuk vjen i vetëm, bëhen si një trastë e mbushur me gurë dhe sa herë i shtojmë edhe një gur tjetër rëndohet edhe më shumë derisa rrypat e saj nuk e mbajnë më këtë peshë por këputen dhe ashtu si pesha e rëndë e gurëve, na shtypin derisa sa nuk marrim dot më frymë. Pikërisht kjo trysni që krijojmë brenda vetes sjell problemet e kohëve moderne, stresin, ankthin, depresionin e të tjera probleme shëndetësore – fatkeqësisht lista këtu mund të jetë e pafundme.
Pikërisht kur shohim sesi përmbytjet kanë lënë pa shtëpi me qindra e mijëra njereëz, sesi zjarret shkatërruan kaq e kaq pasuri të paluajtshme, sesi në zonat ku ka konflikte të ndryshme shuhen familje të tëra, na duket sikur ne as nuk kemi të drejtë të hapim gojën për problemet tona personale; pavarësisht se pikërisht ajo çati që na mban ngrohtë apo na jep sigurinë dhe na mbron nga stuhitë e ndryshme natyrore, ka peshën më të rëndë për supet tona, pavarësisht se nën atë çati shpesh, shumë shpesh nuk duam të jetojmë më.
Absolutisht nuk dua të them që nuk duhet të jemi të ndërgjegjshëm për ato çfarë ndodhin rreth nesh,
absolutisht nuk dua të them që nuk duhet të japim kontributin tonë në rastet e fatkeqësive të ndryshme, absolutisht nuk dua të them që nuk duhet të zgjatim dorën për njerëzit në nevojë, por pavarësisht këtyre situatave, ne kemi të drejtën legjitime të mos nënëvlerësojmë as dhimbjen tonë dhe as mos ta miniminalizojmë atë.
Përçmimi i ndjenjave tona apo nënvlerësimi i tyre si të parëndësishme në krahasim me atë çka përjetojnë të tjerët sjell mohimin e vetes dhe me kalimin e kohës ky represion i ndjenjave të brendshme na çon në mpirje, mpirje nga moshprehja e emocioneve tona të brendshme, pra thjesht sjell vdekjen e ngadaltë emocionale.
Dhe kjo mpirje në asnjë mënyrë nuk na ndihmon për të ndihmuar njerëzit në nevojë, përkundrazi ka efektin e kundërt, pasi nëse ne zhvleftësojmë dhimbjen tonë atëhere bëhemi indiferent ndaj dhimbjeve dhe vuajtjeve të të tjerëve.
Kur përjetojmë plotësisht dhimbjen tonë, vetëm kur kërkojmë zgjidhjen e dhimbjeve apo vuajtjeve tona të brendshme ne jemi të gatshëm të hapim portat për të dëgjuar, kuptuar dhe ndihmuar qeniet e tjera njerëzore, pra vetëm atëherë jemi shumë më të gatshëm t`ju ofrojmë më të mirën që mbajmë brenda vetes.
Humbja, abandonimi, vetmia, frika e të tjera janë universale, pra të gjithë vuajmë po njësoj. Pavarësisht arsyeve dhe pse-ve që provojmë ato që provojmë, dhimbja e secilit ka burimin diku dhe vjen nga eksperiencat personale, nuk mund të themi që është e drejtë apo e padrejtë – ndjenja është ajo që është dhe thjesht duhet të përballemi me të.
Eksperiancat personale të secilit janë komplet të ndryshme, por nëse injorojmë ndjenjat tona sepse dikush tjetër ka probleme më madhore, humbasim humanizmin që duhet të kemi ndaj vetes.
Duke vlerësuar veten aq shumë sa të kërkojmë zgjidhjen e problemeve personale, mund të kuptojmë dhe ndihmojmë shumë më tepër të tjerët, duke dëgjuar historitë e tyre, mund të ofrojmë edhe më shumë duke e bashërenduar me historinë tonë.
Kjo lidhje që krijojmë me veten, me botën tonë të brendshme, është e rëndësishme pasi vetëm kështu mund të krijojmë një lidhje edhe më të fortë me botën e jashtme, vetëm kështu mund të japim kontributin tonë aq të shumëpritur nga bota e jashtme.
Nëse duam të ushqejmë botën në fillim është mirë të kujdesemi të mirëushqejmë veten, pasi në këtë botë çdo gjë është relative.