Sa herë ju ka ndodhur të thoni, mua të paktën disa herë 😜 “Unë nuk do bëj këtë apo atë gabim si babi e mami “, por shumë shpejt, ndoshta më herët nga sa e mendojmë automatikisht dalin nga goja jonë të njëjtat fjalë, reagojmë në të njëjtën mënyrë, gjykojmë nga i njëjti këndvështrim, gabojmë po tek të njëjtat gjëra si prindërit tanë.

Në çdo rast kur e kam kapur veten mat, kuptohet e kap veten mat kur jam e vetëdijshme për ato që them, sepse në shumicën e rasteve janë veprime të cilat janë kthyer në rutinë dhe shumë shpesh nuk i vë re, kërkoj falje apo e ripërpunoj çdo fjalë apo veprim në kokën time dhe në rastet e tjera më vonë nuk reagoj por veproj, veproj brenda kokës sime për të ndryshuar këtë model të trashëguar. Disa modele janë shumë të thjeshta, disa të tjerë shumë më të komplikuara ose shumë më të rrënjosura në kokat tona dhe për çrrënjosjen duhet një punë më e madhe, por mbi të gjitha duhet ti japim vetes kohë.

Gjithë këto modele të trashëguara nga fëmijëria na rëndojnë, na e bëjnë më të vështirë përballjen me problemet e përditshme. Këto modele të vjetra janë si ato valixhet apo sënduqet e drurit (nëse i mbani mend sa të rëndë kanë qenë), valixhe me vrima, valixhe të shtypyra nga ngjeshjet nëpër trena, valixhe me çelësa të prishur por mbi të gjitha pas gjithë këtyre viteve janë tepër të pluhurosura dhe sa më gjatë të presim të pastrojmë këtë valixhe të mbingarkuar, apo si thotë Louise Hay sirtarë të mbushur me pluhur, aq më i vështirë bëhet ky pastrim.

Valixhet e vjetra dhe të rënda shpesh i hedhim, por çfarë ndodh me valixhen që kemi brenda vetes? Këtë valixhe e kemi gjithë kohës me vete, çohemi në mëngjes me të, shkojmë në punë me të, hamë drekën këmbëkryq së bashku, notojmë, vrapojmë, luajmë jo vetëm me fëmijët por edhe me valixhen, shkojmë e flemë gjumë së bashku. Ky tip bagazhi thjesht quhet valixhja e fëmijërisë.

Mes të tjerave kjo valixhe ka brenda shumë bindje, sjellje, paragjykime të trashëguara brez pas brezi dhe shpesh as nuk jemi të vetëdijshëm për peshën e tyre. Kjo valixhe kuptohet që ka edhe gjëra shumë të bukura brenda dhe të gjithë do donim tua kalonim brezave në vazhdim ashtu si trashëgojmë ndonjë bizhuteri apo pikturë të veçantë. Sa për ato bindje apo modele për të cilat mendojmë se na pengojnë apo rëndojnë aq shumë sa na lodhin kurrizin, atëhere e kemi vetë në dorë të fillojmë të punojmë për ti ndryshuar. Kjo do të thotë që shpesh duhet të kthejmë kokën prapa dhe të kërkojmë brenda vetes, kjo jo me qëllimin për të akuzuar prindërit apo kujdestarët tanë, por thjesht për të kuptuar më mirë veten, pasi nëse diçka e kupton, më thjeshtë e largon.

Mund ti bëjmë disa pyetje të thjeshta vetes.

Pse reagoj në këtë mënyrë?

Pse e ngre zërin?

Pse nuk më pëleqen kjo sjellje tek X person?

Pse më lodhin fëmijët?

Pse debatet mbi disa tema nuk i duroj dot?

 Çfarë mund të ketë kjo valixhe brenda?

Nevoja të paplotësuara, fëmijë i padëshiruar, dhunë fizike apo psikologjike, pasiguri, kritika pa fund, ngritje zëri etj., etj.

Pse është i rëndësishëm ky kërkim brenda vetes?

Pasi vetëm duke pastruar këtë valixhe të brendshme jemi më të gatshëm për të përballuar jetën. Nëse vazhdojmë të mbajmë këtë valixhe të pluhurosur ne ngelemi brenda rrethit vicioz dhe natyrisht kjo situatë bart në vetëvete probleme të tjera. Me këtë peshë të rëndë ne mund të humbasim ndoshta edhe gjërat e bukura që na kanë ndodhur apo ato që na ndodhin çdo ditë, në fund të fundit mund të humbasim veten.

Të gjithë kemi një bagazh me vete. Gjej dikë që të ndihmon ta zbrazësh atë.