Takimi i parë i psikologut të shkollës me një 12 vjeçar.

– E di se pse je këtu?
– E di.
– Do të ma tregosh?
– Kam ADHD.
– E di çfarë është kjo?
– Jam hiperaktiv dhe e kam të vështirë të përqëndrohem.
– E kupton kur të ndodh kjo?
– Po.
– Do që të të ndihmoj?
– Këtë gjë e duan prindërit e mi.
– Ti nuk e do?
– Nuk jam i sigurt. Jam i sigurt që nuk dua që ata të inatosen me mua. Dua që ata të mos më bërtasin më.
– Kjo është e gjitha se çfarë do doje? Nuk mund të të ndihmoj me gjëra të ndryshme në jetën e përditshme?
– Më pëlqen që sillem pak keq dhe që mendja ime është ndryshe, ndonjëherë e keqe! Ajo më ndihmon që të “arratisem” diku tjetër, të largohem nga kjo botë.
– Nga çfarë?
– Nga zemërimi i të tjerëve.
– Do të flasësh pak për veten? Çfarë mendon se ke? Çfarë të ndodh?
– E di që gjithë kohës dridhem. Më thonë djalë i keq…. Mendoj shumë shpejt dhe nuk mundem të ndaloj. Më thonë që u pres fjalën…Por unë dua vetëm që të flas. Ndonjëherë as nuk dëgjoj se çfarë më thonë. Në fakt…., të tjerët mendojnë se nuk i dëgjoj.
– Ti i dëgjon?
– Shpesh dua që të mos i dëgjoj….Por e dini çfarë? Ata flasin për mua sikur unë të mos jem aty, prezent, sikur nuk ekzistoj. Prindërit e mi, gjyshërit, miqtë e prindërve të mi, mësuesit. Ndonjëherë edhe fëmijët e tjerë, por nuk më bezdis kjo gjë. Ata janë vetëm fëmijë. Nuk mund të më kuptojnë.
– Flasin për sjelljen tënde, apo jo?
– Po, por unë këtë gjë nuk e kuptoj. Nuk e kuptoj se pse ata, para se të flasin për sjelljen time,  nuk flasin për sjelljen e tyre?
– Nuk kuptoj.
– Shumë e thjeshtë. Babi im për shembull. Kur e pyes diçka, gjysmën e kohës nuk flet, gjysmën tjetër flet diçka të parëndësishme dhe nëse e vëzhgon me vëmendje, ai dridhet, çdo gjë dridhet. Çohet shpejt nga tavolina, bën lëvizje të pakontrolluara, pastaj ulet. Lëviz në karrige, ul telefonin, mami i thotë diçka, vëllai im flet me të ose i kërkon diçka. Në fund humbet fillin, harron se çfarë donte të thoshte. Humbet në mendime. Mami inatoset. Ngre zërin. Shpesh e ofendon. Pastaj fillon sherri. Mami qan, përplas derën. Ankohet që ka kaq shumë gjëra për të bërë, që nuk mundet më, që askush nuk e kupton. Pastaj fillojnë të grinden. Si ta kuptoj? Unë jam vetëm fëmijë. Ajo më kupton mua?
– Pse e thua këtë?
– Sepse as për mua jeta nuk është e lehtë. Më duhet të çohem herët nga gjumi. Të shkoj në shkollë. Mos harro matematikën! merr këtë! Përgjigju pyetjes! Kthehu shpejt! Shkruaj këtë hartim! Dil se është orari i pushimit! Mësues të ndryshëm…. Ji më i shpejtë! Ha më shpejt! Lëviz më shpejt! Shkruaj më mirë! Fokusohu! Përshëndeti të tjerët! Mos harro! Fillo detyrën! Mos bëj zhurmë! Ik në tualet para se të fillojë mësimi! Shpejt se erdhi ora e futbollit, anglishtes, muzikës….Dhe në fund kur mbaroj detyrimet e mia, mami prapë ankohet për jetën e saj të zezë. Ankohet që nuk ka kohë të hekurosë rrobat, që nuk ka kohë të dalë me shoqet. Qan. Zihet me babin. Nuk më kujtohet se kur kaq qenë hera e fundit që ajo ka qeshur. As babi. Dhe pastaj kujtoj dragonjtë. Ata fluturojnë dhe më sjellin bass baterinë, që prindërit të mos i dëgjoj më. Të mos i dëgjoj më kur thonë që kam ADHD-në dhe që më ndërpresin fjalën kur unë bisedoj me ta. Të mos i dëgjoj se edhe ata janë hiperaktivë. Asnjë minutë nuk rrinë të qetë. Të mos i dëgjoj kur thonë: “Nuk jam sjellë kështu kur isha i/e vogël!”
Nuk e di, nëse ata do më donin kështu si jam, dhe nëse ata në vend që të më dënonin të më përqafonin…………………………………..
A doni që tani t’iu them të vërtetën?
– Po…
– Unë tani nuk dua të ndryshoj. Edhe nëse më thonë që i zvarris gjërat, dhe që kam ndryshime të shpeshta humori. Ju të rriturit jeni po njësoj. Vetëm se në rastin tuaj, askush nuk ju kritikon apo dënon.
– Të them edhe unë të vërtetën? ……As unë nuk dua të të ndihmoj që ti të ndryshosh.
– Faleminderit!
– S’ka përse!
___________________________________________
Autori: J. Bucay