A e dini që xhelozia kronike kthehet në një sëmundje patologjike?

Xhelozia kronike bëhet shkak për shndërrimin e marrëdhënieve nga të bukura në toksike. Kjo nevojë e dikujt pë të pasur kontroll të plotë mbi partnerët dhe sjelljet e tyre, është një sjellje torturuese jo vetëm për të torturuarin, por edhe për vetë torturuesin. Kjo lloj xhelozie toksike çon deri në shkatërrimin e lidhjes së bukur që mund të ketë qenë dikur.

Xhelozia është vrasësi i dashurisë dhe  kjo në emër të dashurisë.

Kam dëgjuar raste kur thonë: ”E pse duhet të ketë miq” , ”Mashkulli nuk mund të jetë asnjëherë shok.”

Këto togëfjalësha i dëgjova para disa muajsh nga një zotëri i vetëmasakruar, me të cilin punoja.

”Po pse jo?” ”Cilat janë arsyet që një zonjë mund të mos ketë si mikun e saj të afërt një zotëri?”

”Tani, unë e di që ajo është besnike, nuk më tradhëton?”, por nga tonaliteti i tij kuptova që, në fakt ai këtë gjë nuk e besonte, ai dyshonte.

Zotëria me këtë lloj mosbesimi, jo vetëm që torturon partneren, por edhe vetë veten e tij.

Xhelozia është si një përbindësh, përbindësh që shkatërron dy persona, shkatërron edhe fëmijët e këtyre partnerëve të cilët përbindëshin nuk munden ta largojnë. Në fakt aty ku ka xhelozi, aty ky përbindëshi bashkëjeton çdo ditë me këtë çift, nuk ekziston më lidhja e pastër, nuk ekzisston më sinqeriteti, pasi kjo xhelozi  të torturuarin e ka detyruar të zhvillojë sisteme mbrojtëse për të mbijetuar, ndërsa tek torturuesi sisteme kontrolli ndaj partnerit, ndoshta për dikë të pakonceptueshme.

O, beware, my lord, of jealousy;
It is the green-ey’d monster, which doth mock
The meat it feeds on.

Shakespeare

Nuk ka gjë më zhvlerësuese sesa të jesh njeri që beson, por nuk të besojnë, të jesh i ndershëm por i akuzuar, vazhdimisht i kontrolluar.  Në këto raste edhe intimiteti mes çiftit me kalimin e kohës zbehet, vetë lidhja dëmtohet deri sa shkon në shkatërrim.

Kur dikush kërkon për shenja tradhëtie, zakonisht do gjejë diçka, ose imagjinata e bën të mendoj se i ka gjetur, se ka arsye, dhe kjo gjithmonë për të justifikuar veprimet e tij. Zakonisht kjo lloj imagjinate e pakontrolluar bën një punë fantastike për të gjetur ‘fakte’.

Dikur një zonjë tha për bashkëshortin e saj që ai sillet sikur të ishte spiun i kohës së komunizmit, që kërkon arsye të më dënoj, pavarësisht pafajësisë.

Disa, në një lidhje të tillë, mund të ndihen sikur jetojnë nën presionin e një regjimi shtypës, kur asnjëherë nuk e di nëse ka thënë fjalët e gabuara, sepse perceptimi varet gjithmonë nga humori i partnerit se çfarë kuptimi ju jep këtyre fjalëve.

Disa shkojnë aq larg sa marrin në telefon miket e partneres për tu siguruar nëse me gjithë mend kanë dalë bashkë për drekë, ndjekin çdo koment në rrjetet sociale e të tjera veprime, pra kërkojnë fakte për të justifikuar akuzën e ngritur ndaj të pandehurit.

Nëse kthehem përsëri tek zotëria me të cilin punoja, ai vetë nga ana tjetër jetonte me frikën se mos ndoshta partnerja nga kontrolli i tepruar do të largohej. Në këtë rast kjo është një arsye e fortë dhe e llogjikshme.

Xhelozia patologjike, nëse nuk trajtohet çon drejt dhunës, deri edhe në raste ekstreme. Famirësisht jo në rastin me të cilin punoja, por faktet tregojnë se, të paktën sipas një studimi në Angli, 15% e grave dhe 15% e burrave kanë pranuar se kanë provuar dhunën nga ana e partnerit/partneres xheloz/-e.

Xhelozia ka disa arsye, por në radhë të parë ajo është frut i pasigurisë që dikush ka. Njerëzit xheloz zakonisht nuk ndihen mjaft, dhe kanë bindjen se partnerin/-en nuk e meritojnë. Pra, vetëvlerësimi i ulët, sidomos tek gratë, dhe mosbesimi tek aftësitë personale i japin krahë xhelozisë.

Kjo është arsye tepër e fuqishme që trajtimi në këto raste fillohet si pjesë e trajtimit holistik të personit, në disa nivele, trajtim të cilin unë e ofroj me punën time.

Vetëm kështu mundemi të shikojmë përmirësime, vetëm kështu ajo lidhje, ajo familje ka shumë mundësi të mos shkatërrohet.

Dikush tjetër mendon se në momentin kur bëhen premtimet e rastit, apo shkëmbehen unazat, partneri apo partnerja është pronësi e tyre. Kjo ndodh sepse dikush mund të ketë besim të tepruar tek vetja, që shpesh kalon në arrogancë, apo ka edhe raste kur kemi të bëjmë me narcisistin, refreni i këngës së të cilit është: ”Hidhe vallen ashtu si them unë.” Narcisistët janë shpesh aq cinik sa mendojnë që çdo gjë që  nuk i përshtatet mendësisë dhe hartës së tyre, bëhet me qëllim kundër tyre dhe se të gjithë mashtrojnë.

Analistët me kërkimet dhe analizimet e ndryshme kanë arritur në një konkluzion interesant, zakonisht vetë narcisisti tradhëton, mashtron, guenjen dhe ai supozon se edhe të tjerët janë si ai.

Ata zakonisht i shikojnë njerëzit si objekt dhe natyrisht që objektet edhe mund të vidhen. Kur dikush e shikon dikë si objekt, natyrisht kërkon që të ketë kontroll të plotë mbi të, që nga mënyra se si vishet, çfarë ha, si flet, me kë flet, ku shkon.

Dhe pse jo, në fund të fundit, që nga momenti i shkëmbimit të unazave, e konsideron si një pronësi.

Kjo lloj xhelozie zakonisht është më e vështira për tu trajtuar, sepse në mendjen e tyre fajin e ka gjithmonë tjetri dhe asnjëherë vetë ata.

Natyrisht që personi xheloz ka edhe probleme të tjera, shpërthime zemërimi, stres, depresion, gjëra që shumë shpesh i shpreh me dhunën që ushtron ndaj dikujt, qoftë kjo fizike apo psikologjike.

A arriti zotëria me të cilin punoja të ketë situatën nën kontroll?

Po. Vetë përgjigja e ij ishte një nga më të bukurat: ”Faleminderit që më mësove se si të dyshoj tek dyshimet e mia.”

Unë e ndihmova që ai të shikojë veten dhe mendimet e tij të pabazuara nga një këndvështrim tjetër dhe kjo mënyrë vetëkontrolli është mënyra më e bukur se si të gjeni qetësinë e brendshme, se si të kontrolloni mendimet dhe emocionet që shpesh ju mbysin si dhe të shijoni jetën dhe dashurinë me bukuritë e saj çdo moment.

Komentoni më poshtë, ndani me ne se çfarë ju mendoni.

Gjeni vlera?

Ndajeni me miqtë tuaj në rrjetet sociale.

 

Ai që është xheloz, nuk është i dashuruar.

Saint Augustine