Ne nuk duam t’i marrim gjërat si të mirëqena, por dashje pa dashje biem pre e mosmirënjohjes. I shohim çdo ditë ato çfarë kemi dhe mësohemi me prezencën e tyre, i përdorim sa herë na duhen, këto mjete na e kanë bërë jetën shumë më komode sesa jeta e prindërve tanë apo gjyshërve e stërgjyshërve. Por pavarësisht se i shohim, pavarësisht se i përdorim rregullisht, pavarësisht se blejmë diçka të re shpesh themi: mirë, por është shumë e ngadaltë – sikur të ishte pak më e shpejtë, është shumë e shkurtër – sikur të ishte pak më e gjatë, është shumë e errët – sikur të ishte pak më e çelur, është shumë e madhe – sikur të ishte pak më e vogël, është shumë i mirë apo e mirë për të qenë i/e vërtetë – OMG çfarë pret të jetë më i keq apo më e keqe😳?!?!
Pak a shumë shpesh në të njëjtën mënyrë trajtojmë edhe njerëzit në jetën tonë. Sytë tanë shpesh nuk shohin bukurinë e partneres, veshët tanë nuk dëgjojnë fjalët e bukura që dalin nga goja e partnerit, nuk nuhasim aromat e këndshme të gatimeve që pergatit nëna apo gjyshja, flasim para kohe duke nxjerrë shpesh fjalë që vrasin, nuk i hapim krahët sa duhet për të përqafuar njerëzit që na duan, nuk shohim apo nuk jemi të vëmendshëm ndaj gjërave që ata bëjnë për ne, por edhe kur shohim atë çfarë iu mungon, çfarë duhet të përmirësojnë, si duhet ATA të sillen ndaj nesh. Në ditët e sotme i marrim gjërat si të mirëqena;
- partneri të më dëgjojë mua njëherë pastaj ta dëgjoj unë;
- sikur ka mami punë tjetër përveç drekës e të marri mbesën nga shkolla;
- po ka lekë ai pse të mos japi një darkë;
- e pse duhet t’i them faleminderit sikur më ka thënë ai ndonjëherë;
- aman ku hahet ai byreku i gjyshes, i bën petët e trasha;
- e pse u lodhka gruaja, në shtëpi është gjithë ditën;
- vetëm ti nuk di të sjellësh lekë aq sa duhen, komshiu u gri në lekë;
- sa fëmijë i prapë që je, ma nxive jetën.
Të gjitha këto gjëra fillojmë t’i vlerësojmë kur nuk i kemi më, kur humbasim dikë apo diçka, kur dikush largohet nga jeta jonë qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Nëse marrim një shembull; humbisni celularin apo dokumentat dhe pas dy ditësh dikush ua sjell, e keni provuar kënaqësinë në këtë rast?
E keni provuar si ju qeshin sytë dhe zemra kur pas një largimi bashkoheni me partnerin?
Për të gjitha këto arsye vlerësojini njerëzit se janë shumë të paktë ata që ju duan me gjithë shpirt.
Nëse jeni të ftuar në një event, ku organizatorët ju presin me kafen në një filxhan elegant porcelani, gjithmonë mendoni se kafen e meritoni si deri dje në një filxhan plastik shpejt e shpejt, pa vëmendjen e askujt, pasi për këta organizatorë jeni thjesht një numër tjetër në listë dhe janë thjesht marrëdhënie korrekte pune. Natyrisht janë marrëdhënie reciproke të domosdoshme dhe gjithmonë, gjithmonë duhet të repsektojmë njëri-tjetrin, gjithmonë duhet të jemi mirënjohës për mundësitë që na jepen, gjithmonë duhet të jemi mirënjohës kur dikush arrin të kuptojë atë çfarë ofrojmë, sidomos në botën e entrepreneurship, por si qenie njerëzore është në natyrën tonë që problemet apo luftërat tona të brendshme t`ua besojmë vetëm disave, kini kujdes që këta disa mos t’i humbisni.
Vlerësojeni dhe jini mirënjohës për çdo gjë që keni rreth vetes, çdo komoditet, çdo euro që ju hyn në llogari se ka njerëz në këtë botë (shihni pak rrotull vetes, në Shqipëri nuk mungojnë), që punojnë me muaj të tërë dhe mezi fitojnë sa për mbijetesë – nëse e kanë këtë mundësi. Është e vërtetë që mund të kemi më shumë, por nga ana tjetër mund të kishim shumë më pak.
Vlerësoni çdo pjesë të trupit tuaj, jini mirënjohës çdo mëngjes, mirënjohës që jeni ende gjallë – sa njerëz humbasin jetën në gjumë, mirënjohës që keni dy duar, dy këmbë – sa njerëz në këtë botë nuk kanë krahë të përqafojnë njeriun që duan, vegjetojnë në majë të karrocës gjithë jetën.
Jini mirënjohës që keni sytë, pavarësisht ngjyrës që kanë – jepini ngjyrat e jetës brenda, shihni sa më shumë bukuritë që ofron jeta dhe do jenë sytë më të bukur, jini mirënjohës që merrni frymë sepse duhen më pak se tre minuta pa oksigjen dhe jeta jonë mbaron.
Vlerësojeni çdo buzëqeshje dhe jini mirënjohës që keni arsye për të dhënë e për të marrë buzëqeshje.
Vlerësojeni dhe jini mirënjohës për çdo fjalë inkurajuese që ju jep dikush, fjalët e mira nuk dalin lehtë nga goja.
Vlerësojeni dhe jini mirënjohës për çdo drekë apo çdo vakt që keni mbi tavolinë, sidomos kur nuk ju duhet ta gatuani vetë, se nënave tona ju është dashur të gatuanin dhe të lanin rrobat me dorë deri në orët e vona të natës. Jini mirënjohës për çdo kafshatë, se sot në botë, nga uria, çdo vit vdesin 3,1 milion fëmijë.
Vlerësojeni dhe jini mirënjohës për çdo telefonatë që merrni se kjo do të thotë që jeni të rrethuar me njerëz që ju duan.
Jini mirënjohës që keni një partner i cili është i hapur për komunikim, është i gatshëm të shprehet dhe të të dëgjojë, pasi shumë çifte aty jashtë mund të mos flasin me njëri-tjetrin për muaj me radhë.
Jini mirënjohës që keni miq, të cilët ju ftojnë për darkë, pavarësisht se si mund t’i ndani shpenzimet.
Jini mirënjohës nëse dikush ju zgjidh një problem, pavarësisht se ju mund t’i keni zgjidhur pesë, falenderoje çdo herë pavarësisht se ai nuk e thotë kurrë fjalën “Faleminderit!”; dil mbi të tjerët me zgjuarsi.
Jini mirënjohës për nënën e fëmijëve tuaj, se nga ajo varet edukimi dhe ardhmja e gjësë më të shtrenjtë që keni në këtë botë.
Jini mirënjohëse ndaj bashkëshortit që mundohet, punon, ju vlerëson; mos e krahasoni babain e fëmijëve tuaj me asnjë, pasi lufta me krahasimin është një betejë e humbur. Krahasimi i vetes apo i dikujt me dikë sjell sëmundje mendore dhe fizike. Sipas studimeve të shumta në këtë fushë, krahasimi ka anë tepër të errëta.
Një nga fjalët më të rënda në fjalorin e gjuhës shqipe është pikërisht “ma nxive jetën”, sidomos kur ia themi krijesave më të pafajshme në këtë botë: fëmijëve. Jini mirënjohës që keni fëmijë, fëmijë të shëndetshëm, pavarësisht se bëjnë zhurmë apo çapkënllëqe, pasi nuk e dini – as unë nuk e di – se çfarë do të thotë kur fëmija nuk jep asnjë shenjë jete, nuk e dini çfarë do të thotë kur fëmija vegjeton, nuk e dini çfarë do të thotë kur fëmija nuk të thërret “mami”, nuk e dini luftën e atyre çifteve që nuk munden të kenë fëmijë, nuk e dini se çfarë janë gati të japin njerëzit vetëm që të mbajnë një fëmijë në krahë.
Jeta ka treguar që në një periudhë të caktuar nuk ka shumë rëndësi sa shumë para dhe të mira materiale kemi, nëse nuk jemi të lumtur, nëse nuk kemi me kë t’i ndajmë këto të mira, nëse nuk kemi më në krah ata që kanë qenë dikur bota për ne. Mos ndoshta lakmia na ka kthyer në robotë?
Gjatë jetës kam njohur shumë njerëz me shumë pak të mira materiale, njerëz që punojnë nga mëngjesi në darkë, por kur hyjnë në shtëpinë e mbushur plot me fëmijë iu qeshin sytë, pavarësisht se shpesh hanë vetëm bukë e djathë apo edhe nuk hanë fare. Pavarësisht se nuk kanë ngrohje dinë të ngrohin njëri-tjetrin, flenë të përqafuar por mbi të gjitha dinë të thonë “Faleminderit”.
Por gjatë jetës sime kam njohur edhe njerëz që kanë arritur majat e suksesit, por në thelb kanë ngelur po ata që kanë qenë, njerëz që nuk kanë humbur gjatë rrugës së jetës parimet bazë, njerëz që tek çdo gjë gjejnë një arsye për të thënë “faleminderit”.
Ju jam mirënjohëse prindërve për gjithçka kanë bërë për mua, ju jam mirënjohëse gjithë mësuesve gjatë jetës sime, ju jam mirënjohëse gjithë miqve dhe mikeve të mia, kolegëve, bashkëpunëtorëve, ju jam mirënjohëse gjithë klientëve që më kanë besuar dhe vazhdojnë të më besojnë, ju jam po aq mirënjohëse edhe atyre që më kanë kthyer kurrizin në jetë se pas çdo zhgënjimi kam mësuar diçka të re, i jam mirënjohëse famijes sime për mbështetjen që më japin në çdo hap të jetës.
Nëse dimë të vlerësojmë, gjithmonë ka një arsye për të qenë mirënjohës, ose siç ka thënë poetja australiane Pam Brown: “Edhe nëse është kjo fjala e fundit që do thuash, thuaj faleminderit.”
Unë sot jam mbi të gjitha mirënjohëse që po ndaj këtë shkrim me ju.
Po ju pse jeni sot mirënjohës? Kujt do të dëshironit t’i thoni faleminderit?
Faleminderit!


