Për të qenë të lumtur si çift nuk do të thotë që të mos ziheni, të mos ngrini zërin, të mos keni debate, të mos keni mendime të kundërta, të mos keni ditë kur doni të jeni larg njëri-tjetrit, qoftë edhe për disa orë.🤔😡🙀
Të gjitha këto janë pjesë normale e jetës, pasi me kalimin e viteve ndoshta njëri apo tjetri partner nuk e sheh të njëjtën situatë me të njëjtin sy, me evoluimin si shpirtëror apo profesional është mëse normale që disa gjëra ti shohim nga një këndvështrim tjetër.
Personalisht mendoj se do ishte e gabuar nëse do ngeleshim në të njëjtin nivel si para 20 vjetësh.
Por përsëri janë disa gjëra elementare të cilat e bëjnë një çift, pavarësisht disa mospërputhjeve që vijnë me kalimin e viteve, të jetojnë të lumtur. Duke u bazuar në punën time me disa çifte dhe biseda mes çiftesh të ndryshëm apo në përvojën personale, mendoj se pikat kryesore ku mbështetet jeta në çift është:

Besimi.
Besimi është një nga pikat kryesore për çdo marrëdhënie, qoftë kjo prindër-fëmijë, koleg-kolege, nxënës-mësues, mes miqsh, por në çifte është absolutisht i domosdoshëm. Mosbesimi sjell probleme madhore, si xhelozira pa baza, hakmarrje, në rastet ekstreme deri në dhunë familjare dhe të gjitha këto çojnë deri në ndarje familjesh. Nëse ke besim tek partneri kjo nuk do të thotë që i ke dhënë dorë të lirë të bëj çfarë të dojë, por i jep qetësi vetes tënde, pasi nuk ka më keq se të ndihesh i stresuar gjithë kohës, nuk ka më keq se të mundohesh të gjesh kohën, pa i rënë në sy palës tjetër, kur do kontrollosh telefonin, mesazhet, oraret e të tjera veprime. Pavarësisht kontrollit nëse partneri apo partnerja vendos të të tradhëtojë do ta gjejë kohën dhe mënyrën dhe kjo është zgjedhja e tyre pasi janë persona në moshë madhore, nga ana tjetër është zgjedhja jonë të vendosim se çfarë do bëjmë me jetën tonë më tej: do rrimë në një lidhje të tillë apo do largohemi, por problemin në kokë nuk e krijojmë para se të jetë si problem. Me anë të dyshimit pa baza fusim një virus brenda kokës, një virus që na shton stresin dhe ankthin. Lidhja është që të shijohen momentet e përbashkëta, pavarësisht se ndodh shpesh që dy veta nuk e duan më njëri-tjetrin.

Unë kam besim tek ty. Kjo është e vërteta. Kjo është madhështi. Kjo është dashuri e vërtetë. Gjithë të tjerët thonë thjesht “Të dua“, çfarëdo kjo nënkupton. – Justin Chatwin

Liria.
Liria që i japin partnerët njëri-tjetrit është gjithashtu tepër e rëndësishme. Vetë si femër kam nevojë të dalë një darkë, të shkoj në kinema, të shkoj në plazh apo udhëtime qoftë edhe një javore me miket e mia. 💅💃🏿Pavarësisht familjes apo partnerit ideal më duhet zona e lirisë personale, kuptohet pa e shkelur besimin dhe pa abuzuar në emër të lirisë personale. Ashtu si unë edhe partneri im e ka këtë nevojë të ketë orët e veta me miqtë e tij, pasi është në natyrën e mashkullit të ketë orët e veta të çmendurisë, ka dëshirën të argëtohet me miqtë e vjetër, qoftë edhe me shaka bajate.🍻🏀⛳

Liri është gjithçka, dashuria është pjesa tjetër.  – Richard Bandler

Debati konstruktiv.
Pavarësisht mendimeve të kundërta për X problem, zgjidhja më e mirë është debati i hapur, pa ngritje zëri dhe me argumente – këtu në fakt del problemi më i madh pasi secili do “të fitojë”, secili mendon që ajo çfarë mendoj unë është e drejtë, por ndoshta kjo fitore mund të ketë kosto më të rëndë në marrëdhënien midis çiftit në të ardhmen.
Zakonisht egoja e brendshme nuk na lejon të pranojmë që ndoshta pala tjetër ka të drejtë, secili flet nga pozicioni i vet duke menduar që nëse partneri do ndryshonte, çdo gjë do ishte ok, por harrojmë që edhe partneri mendon të njëjtën gjë, pra kemi dy njerëz të cilët flasin nga dy pole të ndryshme dhe largësia mes këtyre dy poleve bëhet çdo ditë më e madhe.
Në momentin kur ndesheni me një problem zgjidheni së bashku, më e keqja është kur problemet i fshehim poshtë dyshekut.
Grumbullimi i problemeve është njësoj si mirëmbajtja e kuzhinës, sa më gjatë mos ta pastrojmë aq më e vështirë bëhet si punë, zonjat e shtëpisë e dinë shumë mirë sa punë duhet 😢😡, por shpesh pavarësisht se përdorim gjithë fuqinë apo gjithë telat e mundshëm që gjejmë në treg nuk arrijmë rezultatin që dëshirojmë.

Të jesh kritik është shumë më e lehtë sesa të pranosh që s`ke të drejtë. – Benjamin Disraeli

Komunikimi.
Sa i komplikuar është komunikimi, shpesh flasim gjuhë të ndryshme, pavarësisht se mund të duam të dy të njëjtin rezultat, por kur i mbyllim dyert e komunikimit krijojmë situata tepër të tensiounara. Me kalimin e kohës fillon ngritja e zërit, zënkat qoftë edhe për vogëlsira dhe situata del aq shumë jashtë kontrollit saqë nuk dimë më se kush jemi, nuk dimë se çfarë duam. Megjithatë argumentet apo ngritja e zërit shpesh janë domosdoshmëri që të zhvillohemi si çift, pasi shumë shpesh vjen deri tek ngritja e zërit thjesht sepse njëra palë ka frikë se mos thotë diçka të gabuar ose thjesht nuk di si të komunikojë. Ndoshta kjo është një mundësi për të kërkuar një hap më tej brenda vetes dhe një mundësi për të kuptuar pikat ku duhet të ndryshoni diçka.
Komunikimi është i vështirë, disa kanë një gjuhë komunikimi fantastike, disa të tjerëve ju duhet të punojnë për të zhvilluar aftësitë komunikuese. Në momentin kur e pranojmë këtë zbuten situatat dhe ndihemi më pak të stresuar, por përsëri kjo nuk do të thotë që ana tjetër mund të na pranojë thjesht ashtu si jemi, por mos të harrojmë asnjëherë nëse duam një lidhje të shëndetshme si çift është mirë të punojmë së bashku si një ekip i mirë dhe jo të fajësojmë gjithmonë palën tjetër.👫👄👂🏻👂🏻

Nivelin e bisedës më shumë se çdo gjë e ul ngritja e zërit. – Stanley Horowitz

Mirënjohja dhe vlerësimi.
Mirënjohja është një nga virtytet më të bukura të njeriut dhe rreth mirënjohjes kam shkruar më herët, shkrimin e plotë e gjeni më poshtë:
https://www.everteta-lakuriqe.com/mirenjohja-na-pasuron/
Po aq vëmendje edhe rëndësi duhet ti kushtojmë mirënjohjes edhe në marrëdhëniet në një çift. Asnjë, asnjëherë nuk humbet nëse është mirënjohës apo nëse e vlerëson një punë apo një veprim sado i vogël qoftë ky. Por shpesh harrojmë që njeriu më i afërt mund të ketë më shumë nevojë për tu ndjerë i vlerësuar. Zakonisht gjithë problemet e ditës i nxjerim tek personi më i afërt që kemi, duke e ditur se ai/ajo ka durim ose i biem shkurt: prandaj e kam të më dëgjojë, të më durojë por harrojmë që njeriu jonë më i afërt nuk mund të jetë tabelë qitjeje dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ta konsiderojmë të tillë.🏹
Tregoni mirënjohje në mënyrë të rregullt, mos i kurseni fjalët se këto fjalë, ky vlerësim dhe mirënjohje e bëjnë jetën në çift të lulëzojë. Vlerësimi dhe mirënjohja për gjërat e vogla është shumë më e rëndësishme se një veprim apo dhuratë e madhe, pasi janë pikërisht këto gjëra të vogla ato që mbushin ditën tonë.

Mos harroni, nevoja më e madhe emocionale e një personi është që të ndihet i vlerësuar. –  Jackson Brown

Ajo çfarë ka rëndësi në fund të ditës për të dy si çift është që të jemi të lumtur.
Por për të qenë të lumtur nuk duhet që gjërat të funksionojnë perfekte, ndoshta thjesht duhet të kemi kujdes me gjuhën dhe fjalët që përdorim, sepse më shumë se çdo gjë tjetër vret fjala, sidomos kur dalin nga goja e personit që duam.
Por asnjë dashuri nuk mund të mbijetojë pa qenë këto pika më sipër pasi lumturia nuk është dhuratë por zgjedhje dhe nëse kjo zgjedhje është e dyanshme kjo lidhje ju reziston gjithë furtunave të jetës.💕😍💑💗

Aty ku ka dashuri, ka edhe jetë.

Mahatma Gandhi