Pse disa njerëz marrin nga jeta ato çfarë ata dëshirojnë?

Pse ata, pavarësisht dallgëve të ndryshme që u ofron jeta, dalin në breg fitimtarë?

Ndoshta ata nuk janë më të talentuarit, ndoshta nuk janë as më inteligjentët, por duket sikur i kanë dyert të hapura ngado që shkojnë.

Në vitet e fundit, vetë puna si trajnere e Programimit Neuro Linguistik, më ka dhënë mundësinë që të ndeshem me këtë fenomen thuajse çdo ditë. Kam pasur fatin të njoh dhe të punoj me shumë njerëz të suksesshëm dhe këtë fenomen e studioj çdo moment.

Pyetja që i bëj shpesh vetes është: Po si ata, pavarësisht se nuk janë më të talentuarit, apo më inteligjentët, e arrijnë këtë gjë?

Këta njerëz njohin dhe aplikojnë shumë mirë në jetën e tyre të përditshme ligjet universale të influencimit, duke përdorur karizmën e tyre. Disa këtë karizmë e kanë mësuar që fëmijë në kushtet ku janë rritur, apo me mënyrën se si ata janë edukuar nga prindërit, edukatorët, mësuesit, pra tek ata ka ndikuar ambjenti ku janë rritur. Disa të tjerë, pavarësisht se kjo gjë tani tek ata duket kaq natyrale, kanë studiuar, kanë investuar dhe punuar shumë me veten.

Po çfarë konkretisht përmban ky sistem i rregullave universale të suksesit?

Ata që njohin dhe aplikojnë këto rregulla, fillimisht me anë të këtij sistemi instalojnë brenda vetes atë që quhet konfidenca sociale. Me anë të këtij sistemi ata mësojnë si të komunikojnë gjithë elokuencë, si të influencojnë tek të tjerët dhe si të ruhen nga ndikimet e jashtme të padëshiruara. Në fund të fundit ata kuptojnë se si funksionon bota jashtë. Me anë të komunikimit, kuptojnë se si funksionon individi, gjë që e shfrytëzojnë për të arritur ato çfarë ata dëshirojnë.

Ndryshimi mes njerëzve të suksesshëm dhe jo të suksesshëm, është se ata të parët janë kuriozë, mësojnë, praktikojnë dhe nuk heqin dorë deri sa këto gjëra t’i bëjnë pjesë të përditshmërisë së tyre. Ndërsa të dështuarit heqin dorë me vështirësinë e parë që ndeshin.

Deri vonë mendohej se njerëzit karizmatikë janë me fat, kanë lindur dhe janë rritur në një ambjent të tillë dhe kjo e drejtë dhe si ky privilegj u takon vetëm atyre.

Shkencëtarët kanë vërtetuar që kjo gjë është shumë larg të vërtetës. Me kërkimet dhe zbulimet e shumta në fushën e Neuroshkencës, sot është vërtetuar që ka modele specifike të sjelljes të cilat kur dikush i mëson dhe aplikon ndryshon fatin e tij. Ashtu si çdo gjë tjetër në jetë, edhe pas karizmës ka njohuri specifike, ka një proces.

Pra, lideri karizmatik nuk lind. Liderin karizmatik e bëjnë njohuritë, e bën puna, e bën praktika. Të gjitha këto kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e tyre, qoftë kjo në fushën profesionale apo në atë personale.

Kur ndodhem mes grupe njerëzish të cilët i kushtojnë vëmendje të njëjtit person, shpesh personat që kam afër i pyes se çfarë i tërhoqi më shumë tek ky zotëri apo tek ajo zonjë?

Në fund të fundit, çfarë ata bëjnë ndryshe?

Përgjigjet janë gjithmonë thuajse njësoj: ‘Tregon shumë interes’, ‘Më dëgjoi me vëmendje’, ‘Më bën të ndihem mirë në shoqërinë e saj, e tij’, ‘Flet bukur, me një zë të qetë’, ‘Më jep shpresë, krahë’, e të tjera, e të tjera.

Kur flasim për persona karizamatik zakonisht shumica kanë parasysh njerëz të njohur si Dalai Lama, Martin Luther King, Thomas Edison, Adolf Hitler, John Lennon, Elvis Presley, Freddie Mercury, Lady Gaga, Bill Clinton,  Ellen Degeneres, Oprah, Barack Obama, Jim Carrey e të tjerë emra të njohur që kanë lënë gjurmë në histori, jo domosdoshmëisht gjithmonë vetëm për gjëra të mira dhe të bukura.

Por nga ana tjetër, ka shumë emra të panjohur, që ndoshta nuk kemi dëgjuar ose nuk do dëgjojmë kurrë për ta, por që arrijnë shumë gjëra nga ato çfarë ata dëshirojnë. Jam e sigurt që edhe në rrethin tuaj familjar apo shoqëror njihni të paktën një person me të cilin doni të kaloni kohë bashkë, doni të jeni afër tij, e pyesni për mendimin dhe doni këshillat e tij.

Çfarë e bën një person të tillë ndryshe?

Ata dinë si të dëgjojnë, si të komunikojnë, si dhe kur të këshillojnë, kur të flasin dhe kur të heshtin, kontrollojnë shumë mirë emocionet e tyre. Njerëzit atyre ju besojnë, dhe ngelen besnikë të tyre deri në fund. Ata japin mendime dhe sugjestione të cilat shumica i ndjekin apo bien dakord me ta pa i kundërshtuar. Natyrisht që jo gjithmonë këta persona karizmatikë kanë integritet, por ata me karizmën e tyre këto gjëra i arrijnë.

Kur ata ngrenë një ekip rreth vetes, dinë si t’i stimulojnë, dinë si të formojnë një ekip tepër të suksesshëm. Ata punojnë të gjithë së bashku për një qëllim. Dinë si të motivojnë dhe dinë si të veprojnë edhe në situata shumë të vështira, qoftë kjo në kohëra krize si kjo që kalojmë tani. Dinë si të shpëtojnë një biznes, një martesë, shoqëri, familje, apo të drejtojnë një ekip, qytet apo shtet drejt fitores, drejt suksesit.

Ashtu si e përmenda më lart, jo të gjithë njerëzit karizmatik veprojnë brenda etikave morale apo me integritet, por një person i cili i njeh mirë këto rregulla universale, atëhere di edhe si të ruhet nga personi karizmatik, por pa integritet.

Me karizmën e tyre njerëzit mund të inspirojnë, mund të jenë forca e ndryshimit për mirë, forcë për të cilën shoqëria jonë sot ka kaq shumë nevojë, sepse pushteti i vërtetë qëndron pikërisht tek të qenit forcë e vërtetë për ndryshim.

Një person karizamtik përçon energji pozitive ngjitëse, por për të shpërndarë një energji të tillë, ky person e fillon ditën, çdo ditë duke marrë vendime të mira.

Si ky person i arrin këto gjëra?

Të gjitha këto me kalimin e kohës kthehen në kompetencat e tyre të pavetëdijshme, por ata për të arritur deri tek këto kompetenca të pavetëdijshme, punojnë gjatë me veten në mënyrë të vetëdijshme.

Shpesh më pyesin a ja vlen që të punoj kaq gjatë për të arritur një nivel të tillë?

Përgjigja ime gjithmonë ka qenë dhe ngelet: ‘Po ja vlen, sepse në botën e jashtme, apo qoftë brenda familjes apo një kompanie, ekziston edhe manipulimi, mashtrimi dhe është shumë e rëndësishme që nga këto gjëra gjithësecili prej nesh të dijë si të vetëmbrohet.’

Duke pasur kompetenca të tilla, ju dini si të luftoni për të drejtat tuaja dhe me kalimin e kohës jeni ju që mund të bëheni një person me influencë, që mund të jeni zëri i ndryshimit, si në familje por edhe në kuptimin më të gjerë atë të kontributit në jetën sociale.

Me njohuri të tilla, ju gjeni mënyra si të bashkëpunoni për të arritur objektivat dhe ëndërrat tuaja, njëkohësiht duke ofruar zgjidhje të problemeve dhe konflikteve.

Ju intereson më shumë rreth kësaj teme?

Ju intereson të dini më shumë për sistemin e rregullave universale të suksesit?

Më ndiqni gjatë javëve në vazhdim, ku ndaj me ju njohuri konkrete të Neuroshkencës se si funksionon mendja jonë, dhe si ju mund të ndihmoni veten për të qenë pjesë e grupit të njerëzve karizmatikë, si forcë për të sjellë gjëra të mira dhe të bukura, vetes, familjes dhe shoqërisë.