Ai njeri i cili thotë “nuk e di”, posedon një urtësi për tu admiruar dhe pranimi i kësaj “mosdijeje”, nuk do të thotë aspak që nuk je apo nuk  është inteligjent por e kundërta. Vetëm një njeri inteligjent është i gatshëm të pranojë mosdijen e tij pa u vënë në siklet. Vetëm inteligjenti e ka shumë të qartë që asnjë qënie njerëzore nuk mund të dijë gjithçka, asnjë ekspert në fushën e vet nuk di gjithçka. Po të dihej gjithçka nuk do vazhdonin më kërkimet apo eksperimentimet në fushat e ndryshme. Pavarësisht se ka ekspertë tepër të aftë apo janë më të mirët në fushat e tyre, prapë ata janë më të mirët për momentin por vetë ata ende vazhdojnë të kryejnë studime apo kërkime për pikëpyetjet që ju dalin gjatë rrugës.

Pse ka fuqi dhe inteligjencë brenda kjo “nuk e di”?

Pasi vetëm në këtë mënyrë mbushim qypin me mjaltë 🍯😋 – pak humor na shton jetën 😜 – vetëm duke pranuar të vërtetën lakuriqe të mosdijes jemi të hapur për të thithur më shumë dije, i lemë dyert e hapura për të mësuar më shumë🗒 🖊.Gjithashtu kjo “nuk e di” është një armë psikologjike tepër e fortë për të mos u ndjerë inferior. Kur thellohet debati rreth një X teme me këtë “nuk e di” nuk vihesh në pozitë të keqe apo nuk bëhesh qesharak në sytë e të tjerëve. Në shumicën e rasteve nuk ka nevojë ta thuash me zë atë “nuk e di”-në, por kur ja pranon vetes nën zë ke hedhur hapin e parë drejt zgjerimit të njohurive, njohuri të cilat fillon ti kërkosh nëpër libra, google, youtube, nga kolegët, familjarët, nëpër seminare të ndryshme, në ditët e sotme janë mundësitë të pafundme.

Gjithashtu respektoje edhe dikë tjetër kur e pranon “mosdijen”, se me këtë nxjerr në dritë pjesën e bukur të karakterit: sinqeritetin. Pas këtij pranimi ndihmoje me informacionet dhe njohuritë që disponon. Ndoshta do kuptosh që edhe vetë nuk ke gjithë njohuritë e duhura – unë vetë e kam kuptuar.

Pse e quaj fuqia e “mosdijes“? – thjesht sepse dihet fuqia që na jep dija, por nëse kuptojmë dhe ja pranojmë vetes sa të paditur jemi, me hapat që hedhim i qasemi çdo ditë e më shumë dijes.

“Unë di një gjë, e di se nuk di asgjë.”

Sokrati