Në botën moderne ku jetojmë gjithçka vërtitet rreth shifrave.
Sa do jetë fitimi mujor, si do jetë bilanci i fundvitit, sa mund të ulim shpenzimet, rrogat….

Punonjësit kanë një ritëm ditor si robot, puna me orar, shpesh edhe 2-3 orë më shumë sepse duhet dorëzuar X projekt në kohë. Në shumë raste edhe kur janë pranë familjes janë të kujdesshëm se mos merr shefi, konstant jetojnë me frikën se mos ndoshta diçka nuk shkon si duhet me projektin e radhës, me shpresën se ndoshta do paguhen për ato orë ekstra dhe në fund realiteti: jo vetëm që nuk vlerësohen apo paguhen për orët e tepërta, por edhe jetojnë me frikën e largimit nga puna, me frikën nëse do marrin rrogën qoftë minimalen, do arrijnë të marrin lejen (atë minimum leje që kanë), e të tjera, e të tjera frikëra.

Çfarë rezultati sjellj kjo?

Atë që sot quhet “Burnout” të të punësuarit.

Po çfarë është Burnout?

Burnout në vendin e punës është lodhja mendore, fizike dhe emocionale e shkaktuar nga stresi i tepërt për një kohë të gjatë, pra reagimi i individit ndaj stresit të akumuluar gjatë një periudhe të zgjatur kohore. Shenjat më të dukshme shfaqen me lodhjen e përgjithshme që ndjen dikush. Por si mundet ta dallojmë tek individi këtë ezaurim total, gjithmonë varet nga disa faktorë dhe nga vetë individi, pasi secili prej nesh ka mënyrën e vet të jetës.

Diçka është e qartë që është edhe në interesin e punëdhësit që të parandalojë këtë fenomen, pasi rezultati apo bilanci vjetor është rezultat i punës joefektive. Nëse dikush shkon në punë, por pavarësisht dëshirës së mirë nuk arrin të japi rezultatet e duhura, atëhere absolutisht nuk mjaftojnë vetëm marrja e masave drastike si ato që përmenda fillimisht, por duhet parë problemi në kompleks dhe të tregohet kujdes ndaj punonjësit duke marrë masa për të reaguar në kohë, pasi edhe Charlie Chaplin ishte i bindur që njeriu nuk është makineri. Jemi qenie njerëzore me kufizime, pasi asnjë gjë e tepërt nuk është ok për asnjë; pas çdo aktiviteti është e domosdoshme edhe shlodhja. Pra ky ezaurim në fund të fundit është një formë proteste e organizmit për çekulibrimin e krijuar.

Disa nga masat parandaluese janë:

Faktori kryesor që shkakton Burnout është mbingarkesa dhe stresi që ecin dorë për dore së bashku. Mbingarkesat janë oraret e zgjatura, turnet e natës, ndryshimi i shpeshtë i orareve, puna 7/7 ditë të javës, pra sa më gjatë të jetë punonjësi në punë, aq më i ekspozuar është ndaj këtij fenomeni.

Gjithashtu këtu nuk është vetëm thjesht orari, por puna nën presion: projekte të vështira, mosreagimi i shefave apo kolegëve në kohën e duhur për të përfunduar një X punë në kohë, kushte pune të vështira (mosajrim, punë në temperatura të larta/ulëta, mungesa e kushteve minimale në vendin e punës, mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e një 30 minutshi për të ngrënë në qetësi), mosbashkëpunimi, konflikte të ndryshme, mosvlerësimi i punës së dikujt etj.

Me një planifikim të kujdesshëm të këtij procesi pune, këto gjëra mund të evitohen. Punonjësit nëse duhet patjetër të kenë orare fikse atëhere kujdesuni që të gjithë ti respektojnë këto orare dhe rregulla, gjatë orarit të punës planifikoni disa pushime në mes, qofshin edhe 5 minutëshe, leje vjetore më të zgjatura. Nëse e lejon vendi i punës orarin fleksibël, ofroni edhe këtë mundësi. Absolutisht stresin e tepërt e evitojmë duke ndarë detyrat për secilin punonjës dhe duke krijuar një atmosferë të tillë ku komunikimi apo debati mes vetë punonjësve të jetë sa më konstruktiv.

Kur shfaqen shenjat e para të Burnout është mirë të dëgjoni dhe të analizoni ato çka ju thotë punonjësi, shpesh mjafton vetëm një bisedë pesëminutshe për të ndryshuar një situatë stresante në vendin e punës.

Gjithashtu punonjësit absolutisht duhet ti plotësohen kushtet në vendin e punës, nuk mund të kërkosh nga punonjësi të përfundojë  X projekt në X kohë, nëse nuk ka le të themi një kompjuter me gjithë programet e duhura….

Punëdhësi duhet të jetë korekt ndaj punonjësit, korekt me pagesat, korekt me premtimet e dhëna, duhet të kenë kujdes me fjalorin që përdorin, korekt në ngritjen e pagave dhe ngritjen në një pozion më të mirë, gjithmonë duhet ti jepet prioritet atij që e meriton, pasi kur çalojnë këto gjëra punonjësit humbasin dëshirën të japin më të mirën ose thjesht do largohen dhe shumë shpesh punëdhësi e kupton tepër vonë se çfarë thesari ka humbur.

Asnjëherë nuk duhet te harrojmë që çdo lloj pune sado intresante me kalimin e kohës kthehet në monotone, prandaj si punëdhës shpesh duhet të gjeni një motivim ndryshe.

Pra me disa masa, që nuk duan shumë investim apo kohë, punëdhësi mund të evitojë shumë nga këto probleme. Me të drejtë dikush mund të pyesi, po si mundet punëdhënësi ti dallojë këto gjëra, nuk është psikolog apo specialist i trajtimit të njeriut në tërësi? Sot tregu ofron mundësira tê ndryshme për marrjen e njohurive ose ashtu si ndodh shpesh në Slloveni apo edhe në vende të tjera, kontraktojnë specialistë të kësaj fushe, pasi në fakt punonjësi do ti besoj më shumë një të jashtmi rreth problemeve apo stresit që ndjen, sesa punëdhënësit. Punëdhësi absolutisht duhet të jetë i hapur të pranojë kritikat konstruktive dhe të ndryshojë ato gjëra që janë problematike brenda kompanisë.

Por gjithsesi edhe duke marrë këto masa, nuk është e mundur ta evitojmë si fenomen 100%, pasi punonjësi mund të ketë probleme personale, por nëse marrëdhëniet, komunikimi dhe sistemi brenda kompanisë janë të mirëorganizuara, mundësitë për të arritur deri tek një Burnout total janë shumë më të pakta.

Nëse marrim masa preventive në kohën e duhur, atëhere ky proces pune kthehet në një proces win-win fantastik dhe afatgjatë.

Gota e zbrazët nuk ka se çfarë të japi, kujdesu që herë pas here, ashtu si mbush gotën, të mbushësh edhe veten me energji.