Kam hasur disa raste në jetë, si brenda rrethit familjar ashtu edhe atij shoqëror, kur njerëz të caktuar i kanë ngritur apo vazhdojnë ti ngrenë në piedestal. Besoj se ashtu si më ka ndodhur mua mund t`ju ketë ndodhur edhe juve, mund të keni ngritur dikë në këtë piedestal fallco, qoftë brenda apo jashtë familjes.

Pse është i dëmshëm ky veprim?

Duke i dhënë dikujt vlera më shumë nga sa duhet dhe duke i besuar me sytë mbyllur, dashje padashje i hapim rrugë besimit të verbër ndaj kulteve apo ideologjive të ndryshme që në fakt me analiza të thella mund të jenë në kundërshtim me parimet tona.

Gjithashtu me këtë veprim ulim automatikisht vlerat e vetes, humbasim gjatë rrugës një pjesë të vetëbesimit, shohim çdo gabim me sy kritik dhe para çdo sfide gjëja e parë që mendojmë për veten është: “nuk jam i/e denjë”, “atë njeri nuk e arrij dot”, etj, etj.

Së fundi ndoshta, pa vullnetin e personit të cilin e ngremë në piedestal, krijojmë një ide perfeksioni, që ndoshta as vetë ky person nuk e kërkon dhe në momentin kur shofim një gabim nga ana e tij, pësojmë një zhgënjim edhe më të madh dhe jo vetëm ne, por edhe vetë personi “i piedestaluar”.

Le të pranojmë faktin që secili ka ndeshjet e veta me jetën dhe le të mos kërkojmë perfeksionin tek vetja apo tek tjetri, le ti lejojmë vetes dhe të tjerëve që na rrethojnë të qenit qenie njerëzorë me gabimet dhe zhgënjimet nga jeta, pasi të gjithë jemi në të njëjtën varkë, por thjesht përdorim lopata të ndryshme dhe ndoshta këto lopata dhe dallgë na çojnë në drejtime të ndryshme.

Në fund të fundit nuk ka nevojë të idealizojmë as veten dhe as ata, ndoshta ky idealizim që ju bëjmë mund të jetë i dëmshëm për jetën e tyre personale dhe duke mos e parë më këtë person nëpërmjet rrjetës së idealizmit, mund të krijojmë një marrëdhënie komplet normale, njerëzore dhe më të shëndetshme për të dyja palët, pa pasur frikën nga imperfeksionizmi.

Shijojeni jetën me imperfeksionet e saj, se në fund të fundit perfeksionizmi është i mërzitshëm 😃😜!