Gjithmonë flasim për dhurimin dhe sa shumë do të thotë një dhuratë për dikë në nevojë dhe në fakt duhet ta praktikojmë shumë më shpesh pasi është një nga gjestet më humane.

Por sot në fakt nuk do flas për dhuratat apo kontributin që ju japim njerëzve në nevojë, por thjesht për vetë konceptin e dhuratës dhe për ndikimin që ka kjo dhuratë, qoftë edhe pa ndonjë vlerë monetare të madhe, tek ndjenjat tona të brendshme.

Jam e sigurt që shumica prej jush e kanë provuar kënaqësinë e një dhurate të paketuar këndshëm, pa e ditur se çfarë fshihet brenda saj, qoftë kjo një dhuratë për ditëlindje, Krishtlindje, martesë ose thjesht se dikush e mendon si ditë të përshtatshme për të bërë një dhuratë të vogël.

Kur ke bërë ti vetë ndonjë dhuratë thjesht se do ti zbukurosh ditën dikujt?

Shpesh një dhuratë e thjeshtë, e paketuar bukur mund ketë brenda saj një mesazh kuptimplotë apo më të madh se një dhuratë e shtrenjtë.

Para disa muajsh më surprizoi një shoqja ime me disa foto të këndshme nga shkolla e mesme – ngela pa fjalë pasi ishin foto që as nuk e dija se ekzistonin dhe ishin disa momente nga jeta e përbashkët konviktore, të cilat ishin harruar në skutat e thella të sirtarëve të kohës. Mënyra e paketimit dhe mesazhet e shkruara në krah të çdo fotoje ishin aq të këndshmë sa nuk i mbajta dot lotët.

Por cilat janë arsyet pas një dhurate të menduar mirë dhe pse duhet të jemi mirënjohës?

E para duke shprehur mirënjohjen tonë e bëjmë dhe vetë personin i cili ka pregatitur dhuratën të ndihet më mirë, më i kënaqur me kënaqësinë tonë, më i plotësuar.

Ndoshta ai/ajo vetë ka një moment të vështirë dhe thjesht kërkon një moment ndryshe jashtë situatës ku ndodhet, ose e di që ti ke një moment të vështirë dhe do të të tregojë që pavarësisht gjithçkaje unë jam këtu për ty dhe ndoshta më këtë dhuratë të vogël do thjesht të tregojë kush është miku/mikja e vërtetë.

Ose thjesht mund të jetë i/e lumtur për një arritjen tënde dhe do të bëhet pjesë e gëzimit tënd.

Shkencëtarët e Universitetit British Columbia, kanë arritur në rezultatin, se dhurata jo vetëm që na bën të ndihemi më të lumtur, po ka gjithashtu një ndikim pozitiv në sistemin nervor të dhuruesit dhe të marrësit, kuptohet nëse kjo dhuratë nuk bëhet me arsyen e thjeshtë se “DUHET”.

Prandaj le ti gëzohemi dhuratave, le të japim përqafime, le të shprehim mirënjohjne tonë sepse këto veprime i largojnë stresin të dy palëve, qoftë edhe sikur për një kohë të shkurtër, është terapi gratis 😃.