Problemet e kohëve moderne.

Fëmijë me prindër, por pa dashuri.
Çifte në pamje të parë idealë, por me vizita të rregullta tek psikologu.
Familje të përçara thjesht për ego, xhelozira, inate, tradhëtira bashkëshortore, ndarje pasurish.
Vila, shtëpira dhe apartamente lluksoze, por pa jetë brenda.
Makina të shpejta, por shoferë gjithë nerva.
Çdo anëtar familje me celular, por pa komunikim mes tyre.
Ora të shtrenjta që nuk masin kohën.
Njerëz që rrinë kafeneve e restoranteve, hanë pjatat plotë për të mbushur kohën bosh.
Lehtësira në udhëtime, lehtësira në punët e shtëpisë, por mungesë kohe, qoftë edhe gjysëm ore për vizitë tek gjyshja që na ka rritur.
Kemi ngrohje nëpër shtëpia, por zemra të akullta.
Kemi kondicionerë, por prapë nuk dimë të freskojmë mendjen.
Bëjmë pushime ku të duam, qoftë edhe ekstravagante, por prapë nuk na qeshin sytë.
Kemi veshje dhe bollëk në shumë drejtime, por prapë nuk dimë të lëshojmë nga dora qoftë edhe një bluzë.

Trajtojmë qenin si princ, por punëtorin si lypsar.

Mos ndoshta ky bollëk na ka sjellë urinë më të madhe të kohëve moderne:
urinë për dashuri të pastër,
urinë për një buzëqeshje nga shpirti,
urinë për inteligjencë emocionale,
urinë për një fjalë të ëmbël,
urinë për një përqafim,
urinë për respekt reciprok,
urinë  për  tu ndjerë i/e vlerësuar për  punën që bëjmë, qoftë kjo punë edhe pastruese,
urinë për të dëgjuar një faleminderit nga zemra,
urinë për të parë pak më tej se hunda jonë,
urinë për të qenë vetja,
urinë për të pranuar atë gjënë ndryshe,
urinë për të qenë thjesht i pranuar nga familja apo shoqëria me gjithë të mirat dhe të metat që ke!!! – apo ndoshta këtë uri emocionale e kemi krijuar vetë me sjelljet tona!

Mos ndoshta kjo pjatë plotë na ka errur sytë dhe nuk dimë të shofim më bukuritë e jetës,
ndoshta kemi rënë në një gjendje gjumi dhe veprojmë e marrim vendime me sytë mbyllur,
mos ndoshta duhet të zgjohemi dhe të vëzhgojmë më me vëmendje se çfarë ndodh rreth nesh!

Google, enciklopedirat online, youtube, faqe pa fund interneti me informacione të gjithëanshme, biblioteka që ofrojnë shumë më tepër se para 25 vjetësh,
kur shumë libra  ishin të ndaluar apo të censuruar;
por pavarësisht gjithë këtyre niveli ynë shkon deri te ndjekja e rregullt e telenovelava, ndjekja e rregullt e reality shows, ndjekja e rregullt e veshjeve të VIP-ave në rrjetet sociale……

Dikush mund të thotë që jam tepër kritike, më besoni që jo se edhe vetë para zgjimit tim mund të kem vepruar për shumë gjëra me sytë mbyllur.

Kësaj teme nuk po i shtoj më asnjë gjë tjetër, por thjesht po e mbyll me proverbin tibetian.

Sekreti i një jete të rehatshme dhe të gjatë është:

“Përgjysmo sasinë e ushqimit,
dyfisho ecjen,
trefisho qeshjen
dhe dashuro pa masë.”