Një nga frikat më të mëdha që ndjejmë brenda vetes dhe që shpesh bëhet shkak për dështimet tona është frika e refuzimit.

Sa herë ndodhemi para një ndryshimi, pavarësisht se brenda vetes e ndjejmë që është ajo ç`ka na duhet, fillojmë të dyshojmë tek vendimi apo tek vetja dhe fatkqësisht në shumicën e rasteve ky dyshim është i lidhur me frikën e refuzimit që mund të hasim për këtë ndryshim, qoftë nga partneri, prindërit, fëmijët, miqtë, shoqëria që na rrethon.
Kjo frikë është e pranishme thuajse çdo ditë dhe para çdo vendimi, dhe shpesh e gjejmë veten të okupuar më shumë me atë çfarë do thonë apo mendojnë të tjerët sesa me vetë ndryshimin apo vendimin që kemi para dhe si rezultat kjo frikë na limiton në vendimmarrjet apo zgjedhjet tona.

Kjo frikë na krijon një bllokadë të brendshme dhe nuk jemi në gjendje të hedhim atë hapin para, pavarësisht se ky hap mund të jetë rruga jonë drejt lirisë, pavarësisë ekonomike apo lumturisë personale.

Kjo frikë e refuzimit ndoshta është edhe më tepër e theksuar në Shqipëri, pasi vetë shoqëria ka qenë e tillë dhe ende nuk janë çrrënjosur shumë prej paragjykimeve dhe diskriminimeve të trashëguara në vite, ende edhe sot dëgjoj shprehje të tilla:”Çdo thonë njerëzit?”, “Mos na turpëro!”, “Po e bëre këtë nuk të flas.”, etj., etj.

Por e vërteta e egër lakuriqe është, që aty jashtë asnjë nuk do t`ja dijë për mua, për ty apo familjet tona, përveç familjarëve dhe disa miqve të afërt, të cilët zakonisht na përkrahin dhe na ndihmojnë gjatë rrugës sonë. Nga momenti kur kuptova që jam epiqendra e botës vetëm për disa dhe shumica merren me mua, me vendimet dhe me jetën time thjesht për muhabet në një kafene, jetoj një jetë shumë më aktive, jetoj një jetë që më plotëson vetëm mua, në fund të fundit ndihem e lirë.

Por si kalohet kjo frikë?

Vetëm duke e pranuar fitoren apo humbjen si pjesë të jetës se nëse nuk ka humbje nuk mund të dimë çfarë është fitorja, nëse nuk ka dështim nuk mund të dimë çfarë është suksesi.

Ju uroj të gjeni sa më shumë forcë brenda vetes për të dalë mbi çdo paragjykim ❤.